Liturgjia e Fjalës e Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit: 'Gjithë të pagëzuarit janë
të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë’ .
(12.01.2008 RVNë takimin tonë
javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, t’i dëgjojmë e t’i meditojmë së
bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit
të Zotit. Pas përfundimit të festës së Krishtlindjes, që tani nisemi udhës sonë shpirtërore
drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezusit përmban fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin
e tij. Deri dje kemi dëgjuar tregimin e Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur,
ku ka lindur. Sot Ungjilli na tregon për çka ka lindur Jezusi: Krishti është
shpëtimi i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja për botën. Me Festën e
sotme të Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, mbyllet periudha e festave që lidhen
me fundin e një viti e me fillimin e një viti të ri. Fjala e Zotit na ka kërkuar si
besimtarë ta njohim në ngjarjen e Lindjes së Krishtit shenjën e shpëtimit të njeriut,
të shenjtërisë së familjes e të paqes për botën. Edhe pas dymijë vjetësh, qendra
e rrezatimit të paqes që kërkon njerëzimi, qendra e shpëtimin nga e keqja me të gjitha
aspektet e saj, nuk është zhvendosur nga nata e Betlehemit. “Shpëtimtari i të gjithëve”
edhe një herë ka fytyrën e një foshnjeje, ka forcën e tij të brishtë, të një nënë
e të një babë shembull për çdo familje, megjithëse sot modelet që po përhapen janë
të tjera. Zemra e Liturgjisë është Zoti-Fëmijë që rrezaton të gjitha këto aspekte
të jetës njerëzore. Në kremtimin e Natës së Krishtlindjes, më 24 dhjetorin e kaluar,
Fjala e Zotit theksoi: Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi të jashtme. Ai vjen
si fëmijë i pambrojtur, që ka nevojë për ndihmën tonë. Nuk do të na mposhtë me forcë.
Na e heq frikën nga madhështia e tij. Ai na kërkon vetëm dashuri: për këtë bëhet fëmijë.
Asgjë tjetër nuk do prej nesh, përveçse dashurinë, nëpërmjet së cilës mësojmë se si
të hyjmë në ndjenjat e tij, në mendimet dhe vullnetin e tij – mësojmë të jetojmë me
Të dhe të vemë në jetë sëbashku me Të edhe përvujtërinë e heqjes dorë nga disa gjëra,
përvojë që është thelbi i dashurisë. Pyesim: a është akoma i nevojshëm një “Shpëtimtar”
për njeriun që ka arritur në Hënë e në Mars e bëhet gati të pushtojë universin?, për
njeriun që ka arritur të deshifrojë edhe kodet e mrekullueshme të ADN-së njerëzore,
që lundron në oqeanin virtual të internetit dhe e ka kthyer Tokën, këtë shtëpi të
madhe të përbashkët në një fshat global?. Përgjigjia është “po”, sepse pa Shpëtimtarin
dhe mesazhin e tij universal të dashurisë, planeti mbetet në mjerim: Akoma ka njerëz
që vdesin nga uria e etja, nga sëmundjet e varfëria në këtë kohë bollëku e konsumizmi
të shfrenuar. Akoma ka njerëz skllevër, të shfrytëzuar e të ofenduar në dinjitetin
e tyre; ka njerëz viktima të urrejtjes raciale e fetare… Ka njerëz që e shohin veten
e të afërmit e tyre, sidomos fëmijët, të martirizuar nga armët, nga terrorizmi e nga
çdo lloj dhune në një epokë, në të cilën të gjithë kërkojnë e shpallin përparimin,
solidaritetin e paqen për të gjithë.
Të dashur vëllezër e motra, kudo që ndodheni,
ju mbërriftë ky mesazh gëzimi e shprese: Zoti u bë njeri në Jezu Krishtin, lindi nga
shën Maria Virgjër e rilind sot në Kishë, në zemër të çdo besimtari e të çdo njeriu
vullnet mirë. Është Ai që u sjell të gjithëve dashurisë e Atit Qiellor. Është Ai Shpëtimtari
i botës! Mos kini frikë, hapjani zemrën, pranojeni, që Mbretëria e tij e dashurisë
dhe e paqes të bëhet trashëgimi e përbashkët e të gjithëve. Për shumë mot Krishtlindjen! Pas
Krishtlindjes, festa e shën Shtjefnit. Por pse Kisha kujton gjakun e një martiri,
një ditë pas gëzimit të lindjes së Jezu Krishtit? Shpjegoi Papa: Kuptohet atëherë
lidhja që ekziston ndërmjet ditëlindjes së Krishtit e ditëlindjes në Zotin të Shën
Shtjefnit. Nëse Jezusi nuk do të kishte lindur në tokë, njerëzit nuk do të kishin
mundur të rilindnin në Qiell. Pikërisht se ka lindur Kirshti, ne mund të rilindim! Familja
e Shenjtë e Nazaretit është me të vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë,
e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit
e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë celulë
e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të
gjithë njerëzimin. Lutemi tani sëbashku për mbrojtjen e shën Marisë e të shën Jozefit
për çdo familje, veçanërisht për ato në vështirësi. I ndihmofshin familjet, që të
dinë t’u rezistojnë shtysave shkatërruese të një lloj kulture bashkëkohore, që minon
bazat e vetë institucionit familjar. Në homelinë e Meshës solemne, në Ditën Botërore
të Paqes, festë e shën Marisë, Nënës së Zotit, më 1 janar 2007, ritingëllon, në fjalët
e Atit të Shenjtë, teza qëndrore që përbahet në mesazhin e shkruar për këtë ditë.
Teza, e shprehur në titullin e mesazhit, është e qartë: është njeriu “zemra e paqes”: Përballë
kërcënimeve të paqes, fatkeqësisht gjithnjë të pranishme... bëhet gjithnjë e më e
rëndësishme puna e përbashkët për paqen. Kjo, kam shkruar në Mesazh, është njëkohësisht
dhuratë dhe detyrë: dhuratë për t’ia kërkuar Zotit me lutje, dëtyrë për ta realizuar
me guxim, pa u lodhur kurrë. Edhe të gjithë krerëve të tjerë fetarë jo të krishterë,
janë të thirrur që t’i kthejnë sytë nga Krishti, pa pasur frikë prej Tij. Krishti
është dritë, e drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë. E duke filluar nga
Krishti, mund të vijë ai humanizëm i ri për të cilin ka nevojë bota e secili prej
nesh. Shohim gjithnjë e më qartë se një rend i ri botëror ekonomik e politik nuk
funksionon nëse nuk ka përtëritje shpirtërore, nëse nuk i afrohemi sërish Zotit e
gjejmë Zotin mes nesh... Shohim gjithnjë e më tepër se nuk mund të krijojmë vetëm,
nuk mund të gjejmë drejtësi e paqe, përveçse nën dritën e Zotit që na tregon fytyrën
e Tij, që na shfaqet në grazhdin e Betlehemit e na shfaqet edhe në kryq.