2008-01-11 18:10:08

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(11.01.2008 RV) RealAudioMP3 11 janar: Një pyetje e ankthshme vjen deri në ditët tona nga thellësitë dymijëvjeçare të kohës: “Pse më persekuton?”.
E bën Sauli i Tarsit, në sa përshkon udhën që çon nga Jeruzalemi në Damask, ku dëshiron të arrijë sa më shpejt. Në sa prek letrën e fshehur në gjoks, buzët ia shtrembëron një gaz i mbrapshtë. Kjo letër e autorizon t’i arrestojë të gjithë të krishterët e Damaskut. Pali ka filluar prej kohe t’i përndjekë këta peshkatarë të çuditshëm të cilët, në vend të peshkut, kanë nisur t’i përdorin rrjetat për të peshkuar shpirtëra njerëzish. Nuk mund t’i honepsë dot dishepujt e Krishtit. E s’ mund t’i durojë fare kur predikojnë se Jezusi është Biri i Zotit. Pali tashmë e ka parë një të krishterë, Shtjefnin, që u mbyt me gurë nga një grup të rinjsh të tërbuar.
Lëkundet me ritmin e trokut të kalit, i zhytur në ëndërrime. Ëndrra e tij më e dashur është t’i shfarosë të gjithë. Por, papritmas, rrëzohet nga kali. Shoqëruesit nuk e kuptojnë shkakun e këtij rrëzimi: kali nuk duket të jetë penguar. Nuk mund as ta përfytyrojnë se Pali është verbuar nga një dritë misterioze, në sa dëgjojnë, ashtu si ai, një zë që e pyet:
”Pse po më persekuton?”.
Kush më flet? – pyet Pali.
“Jam unë, Jezusi, që ti po e persekuton!”.
Mjaftoi vetëm ky çast, që zemra e Palit të shndërrohej krejtësisht. Ai, armiku për vdekje i të krishterëve, tani e tutje do t’i shërbente Krishtit për gjithë jetën.Me që drita e verboi, shokët e udhës duhet ta marrin për dore, siç bëhet me një fëmijë, derisa arrijnë në Damask. E çojnë në një shtëpi, ku lutet për tri ditë, pa shtënë gjë në gojë. Si kalojnë tri ditët, Jezusi i kërkon, në vegim, një të krishteri të qytetit, që quhej Anania, të shkojë tek Pali e t’ia kthejë dritën e syve. Anania bindet, por dridhet nga frika, sepse ka dëgjuar ç’është i zoti të bëjë Sauli. Mendon se Zoti po e dërgon të nxjerrë ujkun nga strofka. Por sa çuditet e mrekullohet kur, menjëherë pas shërimit, Pali i kërkon pagëzimin! E ja se Pali nis të përshkojë kryq e tërthuer rrugët e Damaskut, duke shpallur me zë të lartë se Jezusi është me të vërtetë Biri i Hyjit. Kalojnë kështu disa ditë. Hebrenjtë janë hutuar aq shumë, sa s’e dinë ç’duhet bërë. Çfaaaarëëë? Pali ka kaluar në anën e të krishterëve? Si e marrin veten nga kjo e papritur e pabesueshme, nisin të thurin komplote për ta mbytur, Duke e ndjerë se po i afrohet rreziku i vdekjes, Pali vendos të largohet në drejtim të Jeruzalemit. Do të jetë një rast i mirë edhe për të njohur nxënësit, që jetuan me Jezusin; Pjetrin sidomos. Kur bie errësira e natës e portat e qytetit mbyllen, për t’u hapur në agun e ditë së re, Pali fshihet në një kosh të madh e miqtë e rinj e ulin ngadalë nga muret e Damaskut. Nisin kështu shtegtimet e tij, që do ta çojnë në vise të ndryshme të botës, edhe në Iliri, për të shpallur kudo, atë që tashmë e kishte thënë me zë të lartë në Damask....







All the contents on this site are copyrighted ©.