2008-01-10 18:08:06

Raport mbi ekonominë botërore. Ekziston rreziku i rënies globale


(10.01.2008 RV)RealAudioMP3 Për ekonominë botërore ekziston rreziku i kthimit mbrapa. Të paktën kështu thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror. Rezervat globale për vitin 2008, sqarohet në të, kanë qenë në nivelin më të ulët të 25 vjetëve të fundit dhe janë vazhdimisht pre e krizave e katastrofave natyrore, për shkak të rritjes së faktorëve kritikë. Ndër to, janë rritja e popullsisë, ndryshimi i mënyrës së jetesës, ndryshimet e klimës, emergjencat që lidhen me naftën dhe efektet e globalizimit. Në rrezik pra, janë rezervat e ushqimit dhe të energjisë, buka e përditshme e njerëzimit. Cila do të jetë e ardhmja? Përgjigjet Rikardo Moro, drejtori i Fondacionit Drejtësi e Solidaritet të Konferencës Ipeshkvnore Italiane:
Unë besoj se jetojmë në një situatë veçanërisht delikate. Ndoshta, nuk po troket në derë mundësia e një degjenerimi të menjëhershëm, por nëse nuk ndërhyhet shpejt, ekziston rreziku që situata për t’u përballuar pas dhjetë vjetësh – e jo pas 50 – do të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
Raporti “Rreziqet globale 2008” i Forumit Ekonomik Botëror fotografon disa rreziqe në veçanti. Janë rreziqe strukturore e të sistemit financiar: ai i sigurisë ushqimore, i rolit të energjisë dhe i mënyrës me të cilën globalizimi ushqen sistemin industrial. Fakt është se ekonomia amerikane po kalon një situatë shumë delikate. Të dhënat e fundit tregojnë për rënie. Ekziston sigurisht një gjendje pasigurie që mund të ndikojë krejt ekonominë botërore e pra, edhe atë evropiane.
Përsa i përket globalizimit, ai nuk është rend, sistem. Nëse nuk qeveriset me rregulla të caktuara, rrezikon të krijojë një situatë xhungle. Kur ia lëmë në dorë punët vetëm ekonomisë së tregut, më të fortët, më të pacipët, e madje edhe më të pandershmit arrijnë ta mbrojnë veten, pa mbrojtur edhe bashkësinë, e sidomos më të dobtit.

 
Mëse 22 viktima e rreth 60 të plagosur në një atentat vetëvrasës sot paradite në Lahore të Pakistanit. Objektivi ishin policët që kontrollonin një manifestim avokatësh, para Pallatit të Gjykatës.

Mbi 40 strehime të Al Kaidës janë goditur sot në periferinë jugore të Bagdadit nga aviacioni amerikan në Irak. Janë përdorur 18 ton me eksploziv në operacionin “Phantom Phoenix” (Fantom Fëniks), filluar para dy ditësh nga forcat amerikane dhe irakiane. Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikon një bilanc dramatik të viktimave civile në vend. Në periudhën 2003-2006 viktimat arrijnë në 151 mijë vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.