2008-01-10 18:02:16

Bush flet për paqen izraelito-palestineze brenda vitit 2008


(10.01.2008 RV)RealAudioMP3 Paqja ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve është e mundur brenda vitit. Ky është pohimi më i cituar i presidentit amerikan Bush, në ditën e dytë të vizitës së tij në Lindjen e Mesme. Pas bisedimeve të djeshme në Izrael, sot takimet me palën palestineze. Paradite, etapa e parë e çoi presidentin në Ramallah, ku u takua me presidentin palestinez Abu Mazen, më pas në Betlehem, nën masa të jashtëzakonshme sigurie.
E pikërisht për sigurinë foli Bush me presidentin Abu Mazen. Foli për Gazën duke kritikuar ashpër Hamasin dhe marrjen e pushtetit me forcë në atë zonë. Qindra manifestues protestuan dje kundër vizitës së presidentit amerikan, pikërisht në Rripin e Gazës, u sulën edhe kundër një shkolle amerikane, që fatmirësisht ishte mbyllur. Si Abu Mazen, ashtu edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë përmendën nënshkrimin e një Traktati për paqen dhe lindjen e një shteti palestinez para se të përfundojë mandati i presidentit Bush në janar 2009. A është e mundur një gjë e tillë? Përgjigjet Erik Salerno, korrespondent i gazetës italiane “Il Messaggero” nga Lindja e Mesme:
Flasin për nënshkrimin e një Traktati, pra për një marrëveshje paqeje që do të thotë të fiksohen të gjitha klauzolat e nevojshme që ky shtet i ri të lindë. Pas kësaj, ka shumë mundësi që të shkohet drejt referendumit ose drejt zgjedhjeve, si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët. Popujt duhet të vendosin nëse do ta pranojnë marrëveshjen apo jo. Nga ana tjetër, duhen vënë në jetë të gjitha premtimet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe me ngulimet hebraike, në mënyrë që të bëhet i mundur krijimi i shtetit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.