Papa në audiencën e përgjithshme flet për Shën Agostinin e - për futbollin.
(09.01.2008 RV)“Jeta e Shën Agostinit
është shembull i veprimit të hirit hyjnor që i drejton ngjarjet e ndërlikuara të jetës
së njeriut drejt së Vërtetës përfundimtare, drejt bashkimit me Krishtin e drejt shërbimit
ndaj Kishës së Tij. Shenjti ndikoi fuqimisht mbi letërsinë e krishterë. Na la shumë
vepra të rëndësishme”. Këtyre e ngjarjeve të tjera të jetës shpirtërore të Prelatit
afrikan – tha Papa – do t’i kushtohen audiencat e ardhshme të përgjithshme. “Njeri
me pasion e fe, inteligjencë të jashtëzakonshme e zell të palodhshëm baritor” – ky,
sipas Papës, ishte Shën Agostini, më i madhi ndërmjet Etërve të Kishës latine, i lindur
në Tagaste, Algjeria e sotme, në vitin 354, i njohur shpesh, së paku për emër, edhe
nga ata që nuk e njohin krishterimin ose që nuk kanë familjaritet me të”. “Rrallë
herë ndonjë qytetërim gjeti një shpirt kaq të madh, që dinte t’i pranonte vlerat e
të nxirrte në pah pasurinë vetjake, duke gjetur gjithnjë ide e forma me të cilat do
të ushqeheshin pasardhësit, siç pati nënvizuar Papa Pali VI: “Mund të thuhet se në
veprën e tij përmblidhet gjithë mendimi i lashtësisë e se prej saj burojnë të gjitha
rrymat e mendimit, që përshkojnë mbarë traditën doktrinore të shekujve të mëparshëm”.
I edukuar në fenë e krishterë nga e ëma, Monika, Agostini i ri e braktisi
shumë shpejt Kishën katolike, por gjithsesi mësimet e nënës së shenjtë nuk u shlyen
krejtësisht nga shpirti i tij: diçka mbeti: “Ai mbeti përherë i mahnitur nga
figura e Jezu Krishtit e na thotë se Jezusin e e deshi gjithnjë; nuk u largua nga
Zoti, pra, por nga feja e kishës, nga praktika kishtare, ashu siç u ndodh edhe sot
shumë të rinjve”. E, ndonëse u largua nga praktika kishtare, Agostini – tha
më pas Papa – vijoi ta kërkonte me pasion të Vërtetën e, i shtyrë nga ky pasion, lexoi
Ortensin e Ciceronit, vepër që sot ka humbur: “Ky libër i zgjoi në shpirt dashurinë
për diturinë, siç shkruan në ‘Rrëfimet’ e tij, kur ishte tashmë ipeshkëv. Libri ia
ndryshoi me të vërtetë mënyrën e kuptimit të botës, aq sa papritmas para syve të tij
humbi vlerën çdo shpresë e kotë e nisi të dëshirojë me gjithë zemër vetëm pavdekësinë
e diturisë”. Filloi, atëherë, të interesohej për manikejtë, që premtonin një
fe racionale dhe e paraqitnin botën të ndarë ndërmjet parimit të së mirës e të së
keqes. Në manikeizmin – të cilit i përkisnin shumë personalitete me ndikim në shoqërinë
e kohës – Agostini gjeti edhe rrugën më të lehtë për të bërë karrierë, por s’ vonoi
e mbeti i zhgënjyer, sepse nuk arriti t’u japë përgjigjen e duhur dyshimeve, që ia
trazonin shpirtin. Gjithnjë në kërkim të së Vërtetës, u nis për në Romë, pastaj për
në Milano, ku zuri një vend të shquar pranë oborrit perandorak. Duke dashur të pasurojë
njohuritë e tij retorike, nisi të ndjekë predikimet e Ambrozit ipeshkëv e mbeti i
mahnitur nga fjalët e tij, të cilat e udhëhoqën drejt leximit korrekt të Shkrimit
Shenjt. E pikërisht Shkrimi Shenjt, që në rininë e parë i qe dukur i pagdhendur, i
tregoi tani udhën që çon tek Jezusi, unitetin e misterit të Krishtit në histori dhe
sintezën ndërmjet filozofisë, racionalitetit e fesë në Logosin e Hyjit, në Krishtin,
Fjalën e amshuar që u bë njeri. Pasi kishte lexuar shkrimet e filozofëve
të shquar, Agostini vijoi të rilexonte Shkrimin Shenjt. Arriti kështu – tha Papa -
të bënte kthesën e madhe – pas një shtegtimi të trazuar shpirtëror. I pagëzuar më
24 prill të vitit 387 nga Ambrozi, u kthye në Afrikë me dëshirën që t’i kushtohej
jetës monastike e t’i kalonte ditët me lutje e studim. Por në vitin 391, në kundërshtim
me vullnetin e tij, u shugurua meshtar, ndërsa në vitin 395, ipeshkëv i Iponës.
Këtu shërbeu për 35 vjet me radhë, duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në udhëheqje
të Kishës katolike të Afrikës romake e të krishterimit të kohës së tij në përgjithësi,
duke përballuar prirjet e gabuara fetare e herezitë e fuqishme si manikeizmi, donatizmi
e pelagianizmi, që vinin në rrezik besimin e të krishterëve në Hyjin e vetëm e të
pasur me mëshirë: “Qe ipeshkëv shembullor në zellin e tij baritor: u predikonte
besimtarëve disa herë gjatë javës, ndihmonte të varfërit e jetimët, kujdesej për përgatitjen
e klerit dhe për organizimin e kuvendeve femërore e mashkullore”. Agostini
– pohoi Benedikti XVI – e lëshoi veten në dorë të Zotit ditë për ditë, deri në ditën
e fundit, një nga ditët e vitit 430 kur, duke u dridhur nga ethet e forta, kërkoi
t’ia shkruanin Psalmet pendestare në faqen e murit përballë krevatit, që të mund t’i
lexonte, në sa sytë i mjegulloheshin nga vdekja. Ky ishte Shën Agostini që ua
përshkroi sot shtegtarëve Papa i cili, si kreu katekizmin, përshëndeti posaçërisht
drejtuesit dhe futbollistët italianë të Serisë D, të pranishëm në audiencë, të cilët
i dhuruan Atit të Shenjtë një top futbolli dhe një bluzë të kaltërt, me shkrimin:
‘Benedikti XVI’. Ati i Shenjtë uroi që loja e futbollit të jetë gjithnjë mjet për
edukimin me vlerat e ndershmërisë, të solidaritetit e të vëllazërisë, posaçërisht
ndërmjet breznive të reja.