2008-01-09 18:33:49

Ngushëllimet e ipeshkvijve të Venezuelës për vrasjen e një meshtari katolik në Karakas.


(09.01.2008 RV)Në Venezuelë, kryeipeshkvi e Karakasit konfirmoi vdekjen e meshtarit 50-vjeçar Pedro Daniel Orelana Hidalgo. Trupi i tij u gjet mëngjesin e 6 janarit, me shenja të dukshme të shtrëngimit në grykë. Lajmi i mbytjes së meshtarit u përhap pikërisht kur kryetari i episkopatit, imzot Ubaldo Santana, kryeipeshkëv i Marakaibos, në fjalën e hapjes së punimeve të Konferencës së 89-plenare episkopale, theksonte “pasigurinë në vend”. Ipeshkvijtë i shprehën ngushëllimet familjes së meshtarit dhe u lutën për shpirtin e tij.Atë Daniel Orelana e ka kryer për shumë vjet veprimtarinë e vet baritore në Kumana e më pas, në Karakas, ku ishte mësues në struktura të ndryshme arsimore, ndërmjet të cilave, edhe në Universitetin eksperimental të Forcave të Armatosura. Aktualisht nuk kryente ndonjë detyrë të posaçme, përveç kremtimit të Meshës në famullinë e Zemrës së Zojës në Karakas, pranë së cilës kishte edhe banesën, ku policia konstatoi se ishin vjedhur shumë sende. Kjo të shtyn të mendosh se vdekja e meshtarit është vepër e kriminalitetit, gjithnjë në rritje.







All the contents on this site are copyrighted ©.