2008-01-09 19:22:28

Hilari Klinton mund Barak Obamën në Nju Hempshajër


(09.01.2008 RV)RealAudioMP3 Ndërsa presidenti amerikan Xhorxh Bush filloi sot vizitën e tij në Lindjen e Mesme, në SHBA vazhdon gara ndërmjet kandidatëve të rinj për president. Në votimet paraprake që do të zgjedhin dy kandidatët, të cilët do të përballen në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, ka fituar deri tani demokrati Barak Obama, por në Nju Hempshajër, Hilari Klinton arriti të fitojë me dy pikë më tepër se rivali i saj brenda partisë. Ndër republikanët, afirmohet Xhon Mek Kein. Senatori i Arizonës mundi si manjatin mormon Mit Rumni, ashtu edhe pastorin baptist Hakëbi, që pati triumfuar në Ajoua. Për të pasur një ide më të qartë se cilët do të jenë kandidatët për Shtëpinë e Bardhë duhet pritur 5 shkurti, ditë në të cilën do të bëhen votime në mëse 20 shtete amerikane. Por cilat janë temat themelore që me siguri do të karakterizojnë fushatën elektorale të demokratëve e të republikanëve? Të dëgjojmë opinionin e Masimo Teodorit, profesor i historisë amerikane në Universitetin e Peruxhas në Itali:
Çështja e luftës në Irak e, më në përgjithësi, e luftës kundër terrorizmit ka qenë gjithnjë e më pak e rëndësishme në muajt e fundit. Temat mbi të cilat do të luhen zgjedhjet janë: së pari, problemi i taksave, pra nëse do të konfirmohet apo jo ulja e taksave kryer nga administrata Bush; pastaj është problemi i emigracionit, duke pasur parasysh se ka rreth 10 milion emigrantë të paligjshëm, që vijnë sidomos nga Amerika Qendrore dhe Meksika, për të cilët opinionet e demokratëve dhe të republikanëve janë shumë të ndryshme. Kjo pikë është e rëndësishme edhe për të kuptuar se si do të orientohen të ashtuquajturit “latinos”, amerikanët me origjinë latino-amerikane, që sot, me një total prej 45-50 milionësh, përbëjnë pakicën më të rëndësishme, vendimtare për zgjedhjet presidenciale në shtetet e Jugperëndimit. Së fundi, më duket se situata ekonomike bëhet gjithnjë e më e vështirë, prandaj propozimet dhe zgjidhjet që do të jepen për këtë argument do ta influencojnë shumë votën.







All the contents on this site are copyrighted ©.