Në prag të vizitës së presidentit Bush në Lindjen e Mesme, tension SHBA-Iran
(08.01.2008 RV)Presidenti amerikan Bush që nesër e deri më 16 janar do të jetë
për vizitë në Lindjen e Mesme për bisedime veç e veç me krerët palestinezë dhe izraelitë,
që duhet t’i japin një shtysë të re procesit të paqes të filluar me Konferencën e
Anapolisit. Ndërkaq, Uashingtoni minimizon kërcënimet për vdekje të Al Kaidës kundër
presidentit amerikan, ndërsa akoma nuk është shuar jehona e incidetit detar Iran-SHBA,
që gati hapi një konflikt të ri në zonë. Për SHBA-të, konfrontimi në det ndërmjet
anijeve amerikane dhe iraniane, në agim të ditës së dielë, ishte një provokim i hapur,
ndërsa Irani e konsideron atë një procedurë rutinë identifikimi dhe akuzon Uashingtonin
për “luftë psikologjike” kundër Teheranit. Pas kërcënimeve se do të qëllonin kundër
amerikanëve, anijet iraniane u larguan, duke evituar ndeshjen e pashmangshme. Ndërkaq,
në zyrën e kryeministrit izraelit në Jeruzalem, është zhvilluar sot një takim ndërmjet
vetë Ehud Olmertit dhe presidentit palestinez Abu Mazen.
UNIFIL-i,
forca ndërkombëtare e disllokuar në Liban po heton mbi hedhjen e raketave katiusha
nga Libani në veri të Izraelit. Ministri izraelit i Mbrojtjes ka deklaruar se
Tel Avivi e konsideron ngjarjen shumë të rëndë. Por forcat izraelite janë të impenjuara
edhe në territorin e Gazës. Sot paradite, në Rripin e Gazës u zhvillua një manifestim
i fuqishëm, gjatë të cilit njerëzit mbanin në krahë 60 arkivole, që simbolizonin numrin
e palestinezëve të vdekur në spitalet lokale, pa arritur të marrin autorizimin për
t’u tranferuar në spitalet më të specializuara të Shtetit hebraik. Organizatorët janë
vetëm pjesërisht të lidhur me Hamasin. Manifestuesit protestuan edhe kundër vizitës
së presidentit amerikan Xhorxh Bush në zonë.
Komisariati i Lartë i Kombeve
të Bashkuara për Refugjatët bëri sot thirrje për të mbledhur një shumë prej 261
milion dollarësh, e cila duhet përdorur gjatë këtij viti, në favor të katër
milion irakianëve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre. Rreth 2,2 milion kanë mbetur
brenda Irakut, ndërsa 2 milion të tjerë janë larguar në vende të zonës, si Siria dhe
Jordania, por edhe Egjipti, Libani e Turqia.
Vazhdon të jetë e rëndë gjendja
në Kenia, ku opozita ka denoncuar vrasjen e rreth njëmijë personave. Pikërisht
sonte, fillon ndërmjetësimi i Bashkimit Afrikan për të zgjidhur kontradiktat ndërmjet
presidentit Muai Kibaki dhe liderit të opozitës, Raila Odinga, i cili e akuzon të
parin për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të 27 dhjetorit dhe për terrorin
e shpërthyer menjëherë pas, në rrugët e Kenias. Ndodhet në Nairobi, presidenti i Ganës
dhe kryetari i turnit i Bashkimit Afrikan, Xhon Kufuor. Edhe Komisioni Evropian, në
një komunikatë të sotme, u ka bërë thirrje liderëve të Kenias të bashkëpunojnë me
Bashkimin Afrikan për zgjidhjen e krizës.