2008-01-08 17:38:33

Kryeministri slloven:s'ka nevojë për bashkim për njohjen e pavarësisë së Kosovës


(08.01.2008 RV)Ndërsa kryeministri i ri i Kosovës Hashim Thaçi pritet të njoftojë përbërjen e kabinetit të tij, ziejnë opinionet mbi çështjen e statusit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun nuk tregohet më aq i sigurtë rreth mbështetjes së planit të Ahtisarit. Në një takim me gazetarët ai ka sqaruar se çështja e Kosovës duhet parë sipas zhvillimeve. Ai theksoi se është i rëndësishëm impenjimi i Bashkimit Evropian në vend. Presidenca sllovene, e vetëdijshme se nuk do të arrihet kurrë një qëndrim unik mbi statusin, pretendon të ketë bashkim ndërmjet shteteve anëtare, së paku për misionin evropian në Kosovë. Kryeministri slloven Janez Jansa deklaroi se vendet evropiane mund të mos e njohin njëherësh pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës.
Ndërkaq, ish-ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Riçard Holbruk ka deklaruar në Budapest se Kosova do ta shpallë pavarësinë në muajin shkurt.


Mandati i presidenti të Kosovës mund të ndryshojë nga 3 vjet siç është tani, në 5 vjet. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker është treguar i gatshëm për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kornizën Kushtetuese.







All the contents on this site are copyrighted ©.