2008-01-07 18:54:09

Shenjti i ditës: Raimondi i Penjafortit.


(07.01.2008 RV)Bir i një familjeje katalane, Raimondi lindi në Penjafort, në vitin 1175. Filloi studimet në Barcelonë e i përfundoi në Bolonjë. Këtu njohu gjenovezin Sinibald Fieski, që më pas do të bëhej papa Inoçenci IV. Në sa kthehej në Barcelonë, Raimondi u emërua kanonik i katedrales. Por në vitin 1222 në qytet u hap kuvendi i Urdhërit të Predikatarëve, themeluar pak vite më parë nga Shën Domeniko apo Shën Deda. Atëherë ai la kanonikatin, për t’u bërë domenikan. Në vitin 1223 ndihmoi shenjtin e ardhshëm Pjetër Nolaskun në themelimin e Urdhërit të Mercedarëve, për çlirimin e skllevërve. Ndonjë vit më vonë, Gregori IX e thirri në Romë e i besoi detyrën të mbledhë e të rendisë të gjithë dekretet e shpallura nga papët në lëndën dogmatike e disiplinore, sipas rrethanave të veçanta. Raimondi ia doli mbanesh ta kryejë këtë punë me sukses të paparë deri asokohe. Në vitin 1234 Papa i ofroi kryeipeshkvinë e Tarragonës. Por ai nuk pranoi. Në vitin 1238 sivëllezërit e tij e zgjodhën Epror të përgjithshëm të Urdhërit. Por veprimtaria e lodhshme në të gjithë Evropën, ia ligështoi energjitë. Në moshën 70 vjeçare u rikthye në jetën e mëparshme të lutjes, të studimit e të punës për formimin e predikatarëve të rinj të Urdhërit. Vëllau Raimond vdiq në Barcelonë në vitin 1275.
Martiriologu Romak e përshkruan kështu: “Shën Raimondi i Penjafortit, meshtar i Urdhërit të Predikatarëve, njohës i shkëlqyer i së drejtës kanonike, shkroi shumë për Sakramentin e Rrëfimit e, si u zgjodh Epror i përgjithshëm, përgatiti një botim të ri të Kushtetutës së Urdhërit; mbylli sytë në Tënzonë në moshë të shtyrë, në Barcelonë të Spanjës.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.