2008-01-07 17:51:34

Nënshkruhet marrëveshja për qeverisjen e Kosovës


(07.01.2008 RV)Është zyrtarizuar sot marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës të kryeministrit të ri Hashim Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Qeveria e re e pas zgjedhjeve të 17 nëntorit do të ketë dy zëvendëskryeministra, njëri i PDK-së, tjetri i LDK-së. PDK-ja do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, të Energjetikës dhe Minierave, të Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Arsimit, Bujqësisë dhe Ministrinë e Shërbimeve Publike. LDK-ja do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, atë të Tregtisë dhe Industrisë, të Shëndetësisë, të Kulturës dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ministritë që do t’i takojnë komunitetit serb janë Ministria e Kthimit dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Komuniteti pakicë jo Serb do të ketë në dorë Ministrinë e Ambientit dhe të Planifikimit Hapësinor.
Ndërkaq, vonesat në krijimin e qeverisë së re të Kosoves patën sjellë reagimin e kreut të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joakim Ryker, i cili u kërkoi forcave politike që të shpallin qeverinë, brenda ditës së mërkurë. Për problemin është interesuar edhe gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, e cila në numrin e saj të djeshëm botoi një artikull mbi hapjen e punimeve të parlamentit të ri të Prishtinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.