2008-01-07 17:53:35

Kisha ortodokse serbe kundër pavarësisë së Kosovës edhe për Krishtlindje


(07.01.2008 RV)Vazhdojnë diskutimet mbi statusin e Kosovës, ndërsa pritet mbledhja e Këshillit të Sigurimit më 16 janar. Përveç politikanëve, në fushën e betejës del edhe Kisha ortodokse serbe, e cila sot feston Krishtlindjen. Përkundrejt mesazheve të urimit të liderëve kosovarë dhe ndërkombëtarë, mesazhi i festës, lexuar nga peshkopi Amfilohije, për shkak se Patriku Pavle është i sëmurë në spital, kritikon ashpër fuqitë perëndimore, që duan ta shkëpusin Kosovën nga Serbia. Në mesazh thuhet se fuqitë botërore “paturpësisht po dhunojnë çdo normë të drejtësisë hyjnore dhe njerëzore”, duke dashur t’i japin pavarësinë asaj, që është djepi, zemra dhe shpirti i popullit serb.
Prononcohet edhe presidenca sllovene e Bashkimit Evropian, për të cilën e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës përfaqëson një kërcënim më të madh se sa Kosova për qëndrueshmërinë në Ballkan. “Për Kosovën – deklaroi kryeministri slloven Janez Jansa – është e qartë se ç’do të ndodhë, çështja është si do të ndodhë”, duke lënë të kuptojë se pavarësia nën mbikqyrjen ndërkombëtare është e paevitueshme. Përsa i përket Bosnjës, Jansa sqaroi se nuk është mundur që një shtet të ketë nevojë gjithnjë për një guvernator ndërkombëtar dhe nuk mund ta administrojë veteveten, pavarësisht se ka institucione qeverisëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.