2008-01-06 16:43:24

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(06.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në festën e Dëftimit të Zotit, u përkujtuan edhe Shën Karli i Seces, rregulltar françeskan e Shën Rafaela, virgjër, themeluese e Motrave të Zemrës së Krishtit.

Ashtu siç kumtonte profeti, edhe njerëzit që jetojnë përtej deteve, tani mund ta shikojnë dritën e madhe, Jezusin. Të bashkëpunojmë të gjithë që kjo dritë të ndriçojë mbarë njerëzimin. Këtë na kujtojnë, me liturgjinë e festës së tyre, Shën Raimondi Penjafort, meshtar dominikan, bashkëthemelues i Mercedarëve, Shën Luçiani, meshtar e Shën Polieuti martir, që do të kremtohen të hënën.

 
Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shenjtorët Severini, abat apostull i Norikut e Lorenc Justiniani, patrik Venedikut, që na nxisin të reflektojmë se jeta e vërtetë nuk vjen nga buka e përditshme, për të cilën megjithatë kemi nevojë, por nga Zoti. Ai na do e, i prekur nga lutjet tona, na siguron bukën e jetës së pasosur.
 Nuk është fantazmë, Ai që ecën mbi ujërat e detit në Betsaide. Në se nuk i gurëzojmë zemrat, do të shohim se Zoti kryen edhe për ne vepra të mrekullueshme. Këtë na kujtojnë, të mërkurën, Shën Juliani, shën Anton Fatati, ipeshkëv i Ankonës dhe Shën Andreu Korsini, karmelitan, ipeshkëv i Fiezoles.

Të enjten është festa e tre papëve shenjtorë: Agatonit, Gregorit X e Melkiadhit, që na kujtojnë se të kumtosh fjalën e Zotit do të thotë të shpallësh lirinë e plotë të njerëzimit.

Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Igjinit papë, Shën Pjetrit të Çezaresë, martir e të Shën Paolinit të Akuilesë, ipeshkëv, që do të përkujtohen të premten e ardhshme, nuk mund të mos meditojmë se Zoti ka pushtet të shërojë deri njerëzit e gjymtë e të mbuluar nga plagët e gërbulës. Ai pret nga ne vetëm lutjen për mëshirë.

Java mbyllet, të shtunën e ardhshme, me festën e Shën Arkadit, martir e Shën Anton Maria Pucit, meshtar. Na kujtojnë se përmes ujit të pagëzimit çdo njeri bëhet anëtar i popullit të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.