2008-01-06 16:36:33

Papa në Meshën e solemnitetit të Dëftimit të Zotit: Kisha dëshiron t’i shërbejë njerëzimit.


(06.01.2008 RV)RealAudioMP3 Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Benedikti XVI kryesoi sot paradite Eukaristinë në Bazilikën e Vatikanit, për të kremtuar Krishtin, dritë e botës, që u dëftohet popujve.
Arritja e Mbretërve Dijetarë nga Lindja në Betlehem për të adhuruar Mesinë e posalindur – pohoi Benedikti XVI – është shenjë që tregon se Mbreti universal u dëftohet popujve dhe gjithë njerëzve, që kërkojnë të vërtetën. Është fillimi i një lëvizjeje të kundërt me episodin biblik të Kullës së Babelit, simbol i pështjellimit të gjuhëve e i shkapërderdhjes së njerëzmit në mbarë tokën:
“Nga pështjellimi - tek mirëkuptimi, nga përçarja - tek pajtimi. Dallojmë lidhjen ndërmjet Dëftimit të Zotit e Rrëshajëve: në se ditëlindja e Krishtit, Kokës, është edhe ditëlindja e Kishës, Korpit të tij, në Mbretërit Dijetarë shikojmë popujt që bashkohen me tepricat e Izraelit, duke paralajmëruar shenjën e madhe të Kishës shumëgjuhëshe, të realizuar nga Shpirti Shenjt pesëdhjetë ditë pas Pashkëve”.
Është gjithnjë mahnitëse – tha në vijim Papa – t’i hedhësh një vështrim historisë së shëlbimit në të gjithë shtrirjen e saj, ndërmjet Dëftimit të Zotit e Rrëshajëve, për të admiruar bukurinë e planit të Hyjit, projektin në historinë e qenies së Tij ‘Bashkim trinitar’. Dashuri besnike e ngulmuese, që nuk heq dorë kurrë nga besëlidhja, nga breznia në brezni. Ky mister – shpjegoi Papa – është shpresa e historisë, është misteri i një bekimi, i cili dëshiron të arrijë tek të gjithë popujt, tek gjithë njerëzimi, që të gjithë të jetojnë si vëllezër e motra, si bij të të njëjtit Atë. Një plan i tillë, i paralajmëruar nga profetët – pohoi Papa - u dëftua në Jezu Krishtin e tani vijon të realizohet përmes Kishës:
“Por ai kundërshtohet nga përçarjet e dhuna, që e trondisin njerëzimin për shkak të mëkatit e të konfliktit ndërmjet atyre që e duan gjithçka për vete. Kisha është në shërbim të ‘misterit’ të bekimit për mbarë njerëzimin. Ajo e kryen plotësisht misionin e saj, vetëm kur pasqyron në vetvete dritën e Krishtit Zot, e kështu i ndihmon popujt e botës të ecin në rrugën e paqes e të progresit të vërtetë”.
Gjatë homelisë, Benedikti XVI kujtoi edhe se Kisha, së cilës iu besua ruajtja e bekimit me thirrjen e Abrahamit, është e shenjtë, por e përbërë nga mëkatarë, e përshkuar nga tensionet ndërmjet asaj që është bërë e asaj që s’ është bërë akoma. Në vijim Papa foli edhe për tensionet që trondisin botën. Edhe sot – tha Benedikti XVI duke përsëritur fjalët e Izaisë profet – kombet i mbulon një errësirë e madhe:
“Nuk mund të thuhet se globalizimi është sinonim i rendit botëror, përkundrazi. Konfliktet për epërsinë ekonomike dhe akaparimi i burimeve energjitike, hidrike e i lëndëve të para, e vështirësojnë shumë punën e të gjithë atyre që përpiqen të ndërtojnë një botë të drejtë e solidare”.
Ndjehet nevoja për një shpresë më të madhe, që krijon kushtet për të pëlqyer të mirën e përbashkët, në vend të luksit të pakicës e mjerimit të shumicës:
Kjo shpresë e madhe mund të jetë vetëm Hyji… jo çfardolloj hyji, por ai Hy që ka fytyrë njerëzore (n. 31): Hyji që u dëftua në Foshnjën e Betlehemit e në të Kryqëzuarin - e Ngjallur”.
Kur mungon shpresa e vërtetë – nënvizoi Ati i Shenjtë - lumturia kërkohet në dehje, në pangopësi, në teprime, e kështu njeriu rrënon vetveten e botën. Atëherë mund të themi se vetpërmbajtja nuk është thjeshtë rregull asketik, por rrugë për shpëtimin e njerëzimit:
“Është e qartë, tashmë, se vetëm duke zgjedhur stilin e një jete të thjeshtë, të shoqëruar nga impenjimi serioz për shpërndarjen e barabartë të pasurive, do të jetë e mundur të vendoset rendi i zhvillimit të drejtë e të qëndrueshëm. Prandaj ndjehet nevoja për njerëz që ushqejnë shumë shpresa e kanë shumë guxim”.
Guximi i Mbretërve Dijetarë – nënvizoi Ati i Shenjtë – që morën një rrugë të gjatë duke ndjekur një yll e që ditën të gjunjëzohen para një Foshnjeje për t’i paraqitur dhuratat e tyre të çmuara. Kemi nevojë të gjithë për këtë guxim e për këtë shpresë, që nuk të gënjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.