2008-01-06 16:43:01

Në Festën e sotme e Ujit të Bekuar jehon mesazhi i Foshnjës së lindur në Betlehem, që i zbulohet botës si dritë shpëtimi për mbarë popujt.


(06.01.2008 RV)RealAudioMP3 Të parët që e pranojnë këtë mesazh, janë Mbretërit Dijetarë të cilët, duke ndjekur Yllin që u tregonte rrugën, erdhën nga Lindja për të adhuruar Foshnjën Hyjnore të lindur në grazhdin e Betlehemit, i cili paralajmërohet mrekullisht nga qielli si Mbret.
Kjo ngjarje, kaq familjare e njerëzore, nga njëra anë gjallëronte fantazinë e të krishterëve të parë, duke e bërë më pak të errët misterin e Zotit që mishërohet - nga ana tjetër i nxiste të dallonin aspektet e mbinatyrshme, siç ishin natyra hyjnore e Foshnjës dhe virgjëria e Marisë. Kështu shpjegohen afresket që u pikturuan në muret e varrezës të Shën Anjezes dhe ndër katakombet e Pjetrit, të Marcelinit e të Domitilës në Romë, që paraqesin Lindjen e Krishtit dhe adhurimin e Mbretërve. Madje ungjilli apokrif armen përmend edhe emrat e tre Dijetarëve: Gaspër, Melkior e Baldasar. Të lajmëruar në ëndërr për të mos kaluar nga Herodi – lexojmë në Ungjillin e Shën Mateut – ata u kthyen në vendet e tyre nëpër një rrugë tjetër. Duke e parë këtë, Herodi u tërbua dhe urdhëroi që në Betlehem e në rrethinat e tij të mbyteshin të gjithë meshkujt dy vjeç e teposhtë. Kështu në Jezusin u vërtetuan profecitë e, sidomos, profecia e Jeremisë, që shkruan: “Një zë dëgjohet në Ramë, vajtim e gjëmë e hidhur: Rakela vajton të bijtë, nuk do të ngushllohet, sepse ata s’janë më”. Foshnjet e mbytyra nga Herodi, me shpresë se ndërmjet tyre do të ishte edhe Mesia, konsiderohen si frytet e para të të shëlbuarve nga Jezusi. Ja pse Kisha i nderon si martirë.
Mbretërit dijetarë, që arrijnë nga Lindja në Jeruzalem, të udhëhequr nga një yll qiellor, përfaqësojnë frytet e para të popujve që tërhiqen nga drita e Jezusit. Ata njohin në Jezusin Mesinë dhe dëshmojnë të parët se po realizohet misteri i shëlbimit.
Në episodin ungjillor, që flet për Tre Mbretërit, të cilët erdhën në Betlehem nga Lindja, tregohet se, pasi e adhuruan Foshnjën, ata i falën dhurata simbolike: ar - Mbretit; kêm - Zotit, mirrë - njeriut që do të varroset një ditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.