2008-01-06 16:43:46

Mbretërit Dijetarë sipas traditës


(06.01.2008 RV)Tradita, që i quan Gasprin, Melkiorin e Baldasarin Mbretër Dijetarë, është mesjetare, por emrat e tyre i gjejmë në dokumente shumë më të hershme, duke nisur nga afresket e katakombeve romake, tek ungjijtë apokrifë e tek disa dokumente që i takojnë shekujve VII- IX. Edhe Liber Ponitificalis i Kishës së Ravenës, na siguron se mbretërit dijetarë quheshin vërtetë me këto emra. Njoftimi më i ri për Mbretërit Dijetarë vjen nga një kompleks monastik, i zbuluar në Egjipt, në zonën e gjërë të Kelias. Mbi njërin nga muret u gjetën, shkruar me bojë të kuqe, emrat Gaspar, Belkior e Batesalsa. Autori duhet të ishte ndonjëri nga murgjërit e lashtë të kuvendit të varrosur nën dhe nga koha. Me që emrat duhet të jenë shkruar aty nga fundi i shekullit VII e fillimi i të VIII-tit, mund të themi se kemi të bëjmë me dëshminë e parë të shkruar për Mbretërit Dijetarë. A ishin tre a më shumë se tre , ‘disa’ siç shkruan Mateu – kjo nuk është krejt e qartë. Dimë me siguri ndërkaq, se ishin astrologë e se ka shumë të ngjarë t’i kenë përkitur ndonjëres prej kastave priftërore të përhapura prej kohe në trojet e Mesopotamisë, të Medisë dhe të Persisë. Autorët e krishterë të shekujve të parë shkruajnë se ishin persianë.
Kujtojmë se dokumenti i parë zyrtar mbi datën e Krishtlindjes, Kronografi i famshëm Romak, i përket shekullit IV e se në të njëjtin shekull, mbi sarkofagët, duken në ikonografi edhe Mbretërit Dijetarë, reliket e të cilëve nderohen në katedralen e qytetit gjerman, Këlnit.







All the contents on this site are copyrighted ©.