2008-01-06 16:43:56

Leoni i Madh: ‘Mbretërit dijetarë janë frytet e para të thirrjes sonë”.


(06.01.2008 RV) Në mbretërit që adhurojnë Krishtin, njohim frytet e para të thirrjes sonë e të fesë sonë dhe me shpirtin e mbushur plot gëzim, kremtojmë fillimin e shpresës së lume. Nga kjo pikë kemi nisur të hyjmë në trashëgiminë e amshuar: nga kjo pikë na janë hapur horizontet e Shkrimit Shenjt që flet për Krishtin dhe për të vërtetën. E përhapi dritën ndërmjet gjithë njerëzve. Qoftë nderuar, prandaj, nga ne, kjo ditë e shenjtnueshme, në të cilën u duk Autori i shpëtimit tonë: është Ai, që Mbretërit e nderojnë ferishte në djep, në sa ne e adhurojmë të gjithpushtetshëm në qiell. E sikurse ata ndër peshtafet e tyre do t'i paraqitnin Zotit dhurata mistike, ashtu edhe ne, në zemrat tona, do t’i paraqesim çka është më e denjë për Zotin. Ndonëse ai është dhurues i të gjitha të mirave, gjithsesi kërkon një fryt sado të vogël nga vullneti ynë i mirë: Mbretëria e qiellit nuk është bërë për atë që fle, por për atë që rri zgjuar, që djersin e që jeton sipas ligjit të Zotit. Kështu, në se ne nuk do t'i bëjmë të padobishme dhuratat e tij, do të meritojmë atë që na është dhuruar e do të marrin atë që na është premtuar. Bijtë e dritës duhet t'i flakin veprat e errësirës. Largohuni, prandaj, nga urrejtja, flakeni tutje gënjeshtrën, shkatërrojeni mburrjen me përvujtërinë, mos e pranoni kopracinë, duajeni bujarinë: është e drejtë që gjymtyrët të drejtohen prej kokës së tyre. Në këtë mënyrë do të jemi të denjë të marrim pjesë në lumturitë e premtuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.