2008-01-06 16:41:52

Karvani me Befanën dhe Mbretërit Dijetarë


(06.01.2008 RV)Banda muzikore, grupe folklorike e personazhe që të kujtojnë një histori tejet të lashtë, parakaluan edhe sot gjatë Rrugës romake të Pajtimit, duke u nisur rreth orës 11. 00 nga Kështjella e Shën Engjëllit, për t’u bashkuar më pas me 30 mijë besimtarët e grumbulluar në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Karvanin e gjatë e mbyllte parrulla ‘Rroftë Befana 2008’, mbajtur nga dy shtrigat e mira me fshesa në krahë, hipur në vetura të zbuluara, të cilat i hidhnin ëmbëlsira turmës së radhitur në të dyja anët e rrugës së madhe që çon në Bazilikën e Shën Pjetrit, pa pyetur fare për shiun që vijoi gjatë gjithë manifestimit.
Është e 23-ta herë që shoqata ‘Evropa dhe familja’ e organizon këtë takim kaq gazmor, plot dritë, ngjyra e tinguj. Në përfundim të kremtimit, Mbretërit Dijetarë, me kostumet e tyre plot salltanet, u ndaluan tek Shpella madhështore e Betlehemit, në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit e, si adhuruan Foshnjën Hyjnore, të cilën sot Virgjëra Mari e kishte marrë në prehër, për t’ia dëftuar mbarë botës si Birin e Hyjit, lanë aty dhuratat e tyre simbolike, të frymëzuara nga Enciklika ‘Spe salvi’ e Benediktit XVI, i cili i përshëndeti përzemërsisht.Karvani ‘Rroftë Befana’, me figurat e veta alegorike, u organizua për herë të parë në Festën e Dëftimit të Zotit të vitit 1985. Frymëzohet çdo vit nga traditat e krahinave të ndryshme, prej nga vijnë në Romë Mbretërit Dijetarë, prandaj edhe është gjithnjë i ndryshëm. E kjo larmi është simbol i universalitetit të Festës së krishterë të Dëftimit të Zotit, por edhe i solidaritetit dhe i vëllazërisë ndërmjet popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.