2008-01-06 16:42:39

Intervistë e Eprorit të përgjithshëm të Jezuitëve, Atë Peter-Hans Kolvenbah, në prag të Kongregacionit të 35-të të Shoqërisë së Jezusit.


(06.01.2008 RV)Të premten e kaluar, në prag të Kongregacionit të 35-të të Shoqërisë së Jezusit, që hapet nesër në Romë, Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve, Atë Peter-Hans Kolvenbah i dha Radios sonë dhe gazetës “L’Osservatore Romano’, intervistën që vijon:


Pyetje: - Në Kongregacionin e mëparshëm të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit mbajtur në vitin 1995, ju e quajtët ‘shkëndijë’ lidhjen e vendosur ndërmjet fesë e drejtësisë. Cila mund të jetë ‘shkëndija’ për Kongregacionin e ri?

Përgjigje: - ‘Shkëndija’ e Kongregacionit të ardhshëm do të jetë medoemos zgjedhja e eprorit të ri të përgjithshëm. Duke zgjedhur njërin apo tjetrin, ndërmjet mijëra jezuitësh, të aftë për t’u bërë të tillë, Shoqëria shpreh atë që pret për të ardhmen: një profet apo një dijetar, një njeri që kërkon të renë apo që e frenon, një kundrues apo një aktiv, një njeri të pararojës apo të bashkimit? Në të vërtetë, Kongregacioni nis me vlerësimin e gjendjes së sotme, me përpjekjen për të dalluar atë që në Shoqërinë tonë është dritë ose atë që, fatkeqësisht, është hije, në shërbimin që i bëjmë Kishës e botës. Pikërisht nga ky vlerësim duhet të shkëputet ‘shkëndija’: ja, ky është jezuiti, për të cilin kemi nevojë, që të përparojmë në udhën e Hyjit.

Pyetje: - Jezuitët janë të shpërndarë nëpër botë për të punuar e për të ungjillëzuar në rrethana nga më të ndryshmet. Cili është filli i artë që i lidh?

Përgjigje: - Jezuiti është thelbësisht njeri në mision. Një mision që e merr nga Papa, nga eprorët e tij, por në analizën e fundit, nga Jezusi, edhe ai vetë i dërguar nga Ati: jezuitët dëshirojnë ta vijojnë këtë mision ndërmjet burrave grave të kohës sonë, posaçërisht atje ku ka më shumë nevojë. Kjo kërkon një prani në vijën e parë të kufijve, që dikur ishin kufij gjeografikë të krishterimit; sot janë kufij ndërmjet Ungjillit e kulturës, ndërmjet fesë së krishterë e shkencës, ndërmjet Kishës e shoqërisë, ndërmjet ‘Lajmit të Mirë’ e botës së trazuar e të tronditur. Sipas kërkesave të këtij misioni, do të ketë përherë një larmi të pabesueshme rrugësh e veprash apostolike, por në të gjitha do të gjejmë këto tri përgjegjësi së bashku: të kumtojmë fjalën e Zotit, të jetojmë duke i përngjarë Krishtit, të dëshmojmë dashurinë e krishterë, që nxit e ushqen Shpirti Shenjt. E pastaj kemi një burim të përbashkët të përshpirtërisë sonë: kjo lind nga Ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit që na shtyjnë, si personalisht, ashtu edhe në punën për formimin shpirtëror të të tjerëve – të kërkojmë e të gjejmë vullnetin e Zotit dhe shenjat e pranisë së tij në situatat konkrete e të ndryshme të jetës dhe të historisë.

Pyetje: - Lidhja ndërmjet fesë e arsyes është një nga temat e mëdha të kësaj papnie dhe temë vendimtare për rolin e feve në botën moderne. Si e përballojnë jezuitët këtë lidhje?

Përgjigje: - Jezuitët kanë një fushë të privilegjuar në impenjimin për ta kërkuar këtë lidhje: universitetet e tyre të shumta në mbarë botën, që doemos duhet të ballafaqohen me dialogun ndërmjet fesë e arsyes. Në kohë të tjera, teologjia dhe filozofia konsideroheshin si shkenca të lidhura ngushtë me vlerat njerëzore. Kurse sot janë shkencat pozitive ato që ia njohin vetes të drejtën e transmetimit të qellimeve e të vlerave të jetës njerëzore. Pa i krijuar pengesa rreptësisë shkencore, universiteti me frymëzim katolik është i thirrur ta kërkojë të vërtetën në tërësinë e saj e, prej këndej, ta ketë mirë parasysh lidhjen ndërmjet shkencave e fesë së krishterë. Siç thoshte Blaise Pascal ‘Tek njeriu ka diçka që e tejkalon pambarimisht njeriun’: për t’i dhënë kuptim jetës njerëzore, nuk mund të lihet mënjanë besimi i mbinatyrshëm. Nga Ungjilli i Jezusit marrin dritën dhe kuptimin e qartë të misterit që e rrethon pashmangshmërisht jetën tonë. Ndërmjet misterit e mendimit absurd ne priremi nga misteri: misteri nuk mund të shprehet nga arsyeja, por është tepër i arsyeshëm. Edhe Gjon Pali II nuk e pranoi kurrë parimin e ndarjes e të veçimit të zbulesës nga arsyeja. Në impenjimin intelektual që duhet të karakterizojë universitetin e krishterë, jezuitët e shekullit XXI duan të ecin në rrugën e Benediktit XVI, në kërkim të një feje që i ndriçon e i kurorëzon përpjekjet e arsyes.

Pyetje: - Ç’të ardhme shikoni për ungjillëzimin e Kinës e të botës aziatike?

Përgjigje: - Përveç urgjencës misionare për t’ia kumtuar Ungjillin një populli kaq të shumnumërt e me kulturë kaq të zhvilluar, si Kina, jezuitët nuk mund ta harrojnë traditën e pranisë së tyre në Kinë, që nga fillimet e Shoqërisë, duke nisur nga ëndrra e Shën Françesk Saverit, për të vijuar me veprimtarinë e mrekullueshme apostolike të Mateo Riçit e të shokëve të tij, të cilët ia dolën mbanesh ta predikonin Ungjillin me gjuhën, kulturën e mendësinë kineze, duke kapërcyer paragjykimet mbi epërsinë e evropianëve. Kjo traditë na shtyn të mos i shkëpusim sytë nga bota kineze. Në të vërtetë Shoqëria nuk hoqi kurrë dorë nga dëshira për t’i shërbyer popullit kinez, në përpjekjen për realizimin e dëshirave të tij shpirtërore, duke predikuar ‘mësuesin më të lartë’ që kinezët e shikojnë tek figurat fisnike të filozofëve të tyre. Prandaj, kur në vitin 1949 jezuitët u dëbuan nga Kina, shumë prej tyre vijuan të jetojnë në vendet fqinje, duke pritur rastin e parë që do t’u paraqitej për t’u rikthyer në vendin e tyre. Nuk munguan as jezuitët e rinj, që u nisën drejt këtyre vendeve kufitare, si Filipinet, Taivani e Hong Kongu – prej nga bënë përpjekje kolosale për të mësuar gjuhën kineze, duke ëndërruar ditën kur do t’u hapeshin dyert e Kinës. Shoqëria e Jezusit ka sot në Kinë një prani modeste e vijon të jetë në pritje. Pret që përpjekjet e Selisë së Shenjtë për rifillimin e marrëdhënieve me Kinën t’i krijojnë kushtet për t’u rikthyer në një misionin, me të cilin Shoqëria e Jezusit është kaq e lidhur.

Pyetje: - Shoqëria e Jezusit i kushton vëmendje të dorës së parë dialogut me fetë. A është i mundur dialogu me Islamin?

Përgjigje: - Që një dialog të jetë i mundur, është e nevojshme të niset me respekt të sinqertë reciprok, që e kapërcen mirësjelljen e thjeshtë. Pa këtë nuk do të ishte dialog, por shumë-shumë ballafaqim. Një hap të dytë na e ka treguar Papa Vojtila, kur fliste për ‘dialogun e jetës’, domethënë për të ndarë së bashku dëshirat e problemet e çdo bashkësie njerëzore: dëshirën për të jetuar në paqe, në siguri, në një mjedis të pandotur. Në këtë atmosferë mund të bëhet hapi i dytë: dialogu ndërfetar me shkëmbimin e përvojës shpirtërore e të praktikave të fesë, në të cilat provohen ndjenja të vërteta fetare, pavarësisht nga mospajtimet. Së fundi është dialogu fetar, i bazuar mbi elementet teologjike të të dyja feve. Natyrisht me këtë merren teologët, që duhet të ndalohen tek një problem i pazgjidhshëm: besimi i të krishterëve në Trininë Shenjte nuk mund të kufizohet në formulimin e besimit në një Zot të vetëm, si ai në të cilin beson Islami. Megjithatë, kjo vështirësi e fundit teologjike, nuk duhet ta pengojë dialogun e jetës, që porosit Papa, sepse si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, e shikojnë jetën me syrin e fesë dhe që të dyja palët janë të bindur se njeriu nuk jeton vetëm me bukë.

Pyetje: - Në ç’drejtim jeni frymëzuar nga pararendësi juaj i ndjerë, atë Pedro Arrupe, të cilit sivjet iu përkujtua njëqindvjetori i lindjes, në drejtimin e Shoqërisë së Jezusit gjatë këtij fundshekulli?

Përgjigje: - Nga Atë Arrupe kemi mësuar kthimin tek burimet e dritës së Koncilit II të Vatikanit. Në se një familje rregulltare është dhuratë e Shpirtit Shenjt, ç’ka dashur të thotë Zoti duke e nxitur krijimin Shoqërisë së Jezusit? Në një epokë, në të cilën Kisha ishte e tronditur nga përçarjet e të krishterëve dhe rrezikonte të harronte se ishte themeluar për t’ua kumtuar Ungjillin popujve, Shën Injaci dhe shokët tij u thirrën të vijojnë misionin e Krishtit, posaçërisht atje ku nuk njihet ose njihet pak. Nga Koncili II i Vatikanit Atë Arrupe merrte forcë për t’i pyetur të gjithë sivëllezërit dhe për t’ua ndjekur të gjitha veprimtaritë, në përpjekjen për t’u bindur se puna e tyre e jashtëzakonshme ishte me të vërtetë vijim i misionit të Krishtit. Një mision që, po të flasim me gjuhën e gjeografisë, nuk është kryer aspak, madje përkundrazi, duhet të rifillojë në vendet me traditë të krishterë. Një mision, pastaj, që vijon në kufijtë ndërmjet fesë e kulturës moderne, fesë e shkencës, fesë e drejtësisë shoqërore, ku duhet çuar prania e Kishës. Në se dëshiron ta kryejë këtë kumtim të Krishtit, shoku i Jezusit duhet të jetë e të jetojë në funksion të këtij misioni. Që në kohët e Shën Injacit, kjo kërkonte largimin nga stili i jetës monastike, e edhe sot kërkon një jetë të ushqyer nga kundrimi i mistereve të jetës së Krishtit, pikërisht ndërsa kryen misionin, për të përforcuar kështu veprimtarinë misionare të përditshme. Ja ç’u përpoq të realizonte Atë Arrupe, si profet i vërtet të i përtëritjes konciliare.

Pyetje: - Pas 24 vjetësh, ju do të keni përsëri një epror rregulltar: jeni i pari gjeneral i jezuitëve që ju ndodh kjo, përveç Atë Arrupes. Si përgatiteni për këtë ndryshim të jetë suaj?

Përgjigje: - Shën Benedikti e dinte se duhet t’i dëgjonte sivëllezërit e tij, sepse Zoti mund t’i fliste me gojën e murgut më të ri. Pas gati 25 vjetësh të kaluara duke dëgjuar rreth 25 mijë jezuitët, bindja para njërit prej tyre mendoj se do të jetë për mua kohë paqeje. Së paku shpresoj të mos jetë për të barrë, që duhet ta mbartë, ose ta durojë…







All the contents on this site are copyrighted ©.