2008-01-04 18:30:30

Vizitën e parë të vitit 2008, Benedikti XVI e bëri në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’, drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë.


(04.01.2008 RV)RealAudioMP3 Është Krishtlindje, sa herë i krijojmë Jezusit mundësinë t’i dojë të tjerët përmes nesh”: Benedikti XVI bëri të vetat fjalët e Nënë Terezës, për të theksuar vlerën e Shtëpisë ‘Dhurata e Marisë’ në Vatikan, themeluar me dëshirën e së Lumes shqiptare e të Gjon Palit II, njëzet vjet më parë. Në këtë strehë, ku provohet ditë për ditë dashuria e krishterë, Papa bëri vizitën e parë të vitit 2008. Benedikti XVI u prit me përzemërsi të madhe nga Misionaret e Bamirësisë, të kryesuara nga Eprorja e Përgjithshme, motra Maria Pia, dhe nga të varfërit që ndihmohen prej tyre në shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’. Në hyrje të banesës ishte vendosur një portet i madh i Nënë Terezës së bashku me kardinalin e asokohshëm Racinger, poshtë të cilit, urimi i mirëseardhjes.
‘Jam këtu për t’ju thënë se Papa ju do shumë e është gjithnjë pranë jush”.
Benedikti XVI e përmblodhi me këtë frazë domethënien e vizitës së tij në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’. Papa u prit me një valle indiane, të luajtur nga dëshirtaret e Misionareve të Bamirësisë. Më pas shkoi në sallën e mensës së grave, ku bisedoi një copë herë me disa nga banoret e kësaj shtëpie, që asistohen nga murgeshat e Nënë Terezës. Në vijim i drejtoi fjalën bashkësisë së “Dhuratës së Marisë”. Një realietet – kujtoi Papa - të cilin e njohu për së afërmi kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. E kjo, sepse selia e dikasterit vatikanas, kryesuar asokohe nga kardinali Racinger, është fare pranë shtëpisë, që u është besuar Misionareve të Bamirësisë. Kushdo që troket në portën tuaj – tha Papa – merr si dhuratë nga Maria pritjen me krahë hapur nga ana e motrave dhe e vullnetarëve. E dhuratë e Marisë – shtoi Ati i Shenjtë – është edhe prania e atyre që ndalen për të dëgjuar njerëzit, të cilët kalojnë periudha të vështira. Fjalë këto, që Papa i përforcoi duke u dhënë zemër motrave të Nënë Terezës:
“Uroj që ky stil i dashurisë ungjillore ta vulosë e ta dallojë gjithnjë thirrjen tuaj në mënyrë që, përveç ndihmës materiale, të mund t’u komunikoni atyre që takoni për ditë, të njëjtin pasion për Krishtin, i cili gjallëroi gjithë jetën e Nënë Terezës”.
Më pas Papa foli për Krishtlindjen, mister i vërtetë dashurie. Koha e lindjes së Krishtit – vijoi të reflektonte Ati i Shenjtë – na tregon mirësinë e pafundme të Hyjit i cili, duke u bërë Fëmijë, deshi t’i ngushëllonte njerëzit që vuajnë nga varfëria e nga vetmia.
“Pranoi të banonte ndër ne, duke provuar vështirësitë tona të përditshme; nuk ngurroi të mbartë së bashku me ne, barrën e jetës së përditshme, me mundimin e saj e me shqetësimet e saj. Lindi për ne, për të ndenjur me ne e për t’u dhënë të gjithë atyre që ia hapin portën e zemrës, dhuratën e gëzimit të tij, të paqes së tij, të dashurisë së tij”.
Duke lindur në një shpellë, sepse për Të s’u gjet vend tjetër - vijoi Benedikti XVI – Jezusi provoi po ato vuajtje, që i provojnë shumë nga ju:
"Krishtlindja na ndihmon të kuptojmë se Zoti nuk na braktisë kurrë, se na mbron e se shqetësohet për secillin nga ne, sepse çdo njeri, e sidomos më i vogli e më i pambrojturi, është i çmuar para syve të Atit, të pasur me butësi e mëshirë”.
Papa vuri theksin edhe tek stili i gatishmërisë së përhershme, tipik për bijat shpirtërore të Nënë Terezës. Pas përfundimit të fjalimit, u ngjit në mensën e burrave, të cilët i përshëndeti dhe u uroi vitin e ri e, së fundi, vizitoi disa gra të sëmura, shtruar në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’.
Veprimtaria e fundit e kësaj vizite të shkurtër por të ngarkuar, ishte takimi festiv me misionaret e bamirësisë e me disa rregulltarë të degës mashkullore të familjes së themeluar nga Nënë Tereza, në Kishën e Shëlbuesit, pranë shtëpisë së pritjes. Të gjithë së bashku – u tha Papa – ju formoni një zinxhir bamirësie të krishterë, pa të cilin kjo Kishë, si çdo vepër vullnetariati, nuk do të mund të ekzistonte, as të vazhdonte t’u shërbente njerëzve që vuajnë nga forma të ndryshme të mjerimit:
“Emri i bukur i kësaj shtëpie, ‘Dhurata e Marisë’, na fton, në fillim të vitit të ri, ta dhurojmë pa u lodhur kurrë vetë jetën tonë”.
Prej këndej, lutja e Papës drejtuar Virgjërës Mari, që të na mësojë t’ia bëjmë dhuratë Hyjit Atë jetën tonë, ditë për ditë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.