2008-01-04 18:32:59

Në prag të Kongregacionit të 35-të të Shoqërisë së Jezusit.


(04.01.2008 RV)Gjithçka është gati për hapjen e Kongregacionit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit. Tubimi i madh, i 35-ti pas themelimit të Urdhërit të Jezuitëve nga Shën Injac Lojola më 1540, do të fillojë të hënën e ardhshme, me një Meshë në Kishën romake të Jezusit. Kremtimin, në të cilin do të marrë pjesë atë Peter–Hans Kolvenbah, Epror i Përgjithshëm i Jezuitëve, do ta kryesojë kardinali Franc Rodé, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, që do të mbajë edhe homelinë. Në përfundim, do të nderohen reliket e Shën Injacit të Lojolës, që ruhen nën elterin më të djathtë të Kishës e do të vijohet me ndezjen e llambës, që do të rrijë ndezur për gjithë kohën e zhvillimit të punimeve të Kongregacionit. Llamba të tjera do të ndizen në kishat e jezuitëve në mbarë botën, si dëshmi e pjesëmarrjes në lutje për suksesin e Kongregacionit. Llamba do të ndizen edhe në Kishat e jezuitëve në Shqipëri.
Në Meshë mund të marrin pjesë të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen me anëtarët e Kongregacionit, i cili do të mblidhet në takimin e parë pasditen e së hënës së ardhshme, në formë private, në Shtëpinë e përgjithshme të Urdhërit, në Borgo Santo Spirto. Pas zgjedhjes së eprorit të përgjithshëm – që do të bëhet vetëm pas një reflektimi të kujdesshëm mbi gjendjen e Kishës në botë e të Shoqërisë së Jezusit – do të fillojë faza e dytë, për të shqyrtuar sfidat apostolike që i presin jezuitët në të ardhmen.
Numri i anëtarëve të Kongregacionit, ndërmjet të cilëve edhe Eprori i përgjithshëm, anëtar me të drejtë vote, është 226. Numri i zgjedhësve nuk përfshin tre anëtarë ex- officio dhe pesë anëtarë të emëruar nga Ati i përgjithshëm, prandaj numri i atyre që do ta zgjedhin Eprorin e përgjithshëm, do të jetë 218. Atë Peter-Hans Kolvenbah, Epror aktual i Shoqërisë, i 28-ti pasardhës i Shën Injacit, që po i afrohet të tetëdhjetave e është në timon të Shoqërisë që prej më se 24 vjetësh, pasi mori mendimin e këshilltarëve të tij e me miratimin e Atit të Shenjtë, do t’i paraqesë dorëheqjen Kongregacionit të përgjithshëm, por do të mbetet anëtar i tij edhe pas zgjedhjes së pasardhësit. Deri tek Atë Arrupe, eprorët e Jezuitëve zgjidheshin për gjithë jetën, por kur rregulltari spanjoll në vitet ’80 dha dorëheqjen për shkak të moshës së shtyrë e të sëmundjes, Shoqëria e Jezusit nisi të mendojë për një gjeneralat pa kufij moshe e kohëzgjatjeje, por me mundësinë për të dhënë dorëheqjen nga Kongregacioni i përgjithshëm, me miratimin e papës dhe kur ta shohin të arsyeshme autoritetet e Jezuitëve.
Ndërmjet tjerash, Selia e Shenjtë e ka njoftuar Atë Kolvenbahun se më 21 shkurtin e ardhshëm, Benedikti XVI do t’i presë në audiencë të gjithë anëtarët e Kongregacionit të 35-të të përgjithshëm të Jezuitëve. Në prag të Kongregacionit të 35-të të Shoqërisë së Jezusit, Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve, Atë Peter-Hans Kolvenbah i dha radios sonë dhe gazetës “L’Osservatore Romano’, një intervistë të gjatë, me të cilën do t’ju njohim në emisionet e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.