2008-01-04 18:55:20

Në Kenia, opozita kërkon zgjedhje të reja. Si u arrit në këtë pikë?


(04.01.2008 RV)RealAudioMP3 Në Kenia, opozita ka kërkuar zgjedhje të reja brenda tre muajve. Çmimi Nobel për paqen, kryeipeshkvi anglikan Desmond Tutu, pas një takimi me presidentin Kibaki, deklaroi se kreu i shtetit është gati të pranojë një qeveri koalicioni për të kapërcyer gjendjen kritike në të cilën ndodhet vendi, me dhunën që shpërtheu pas zgjedhjeve presidenciale të 27 dhjetorit. Ndërkaq, vazhdon të keqësohet gjendja humanitare. Karitasi Ndërkombëtar ka deklaruar se të shpërngulurit janë rreth 100 mijë vetë. Shumë prej tyre janë strehuar në kisha e në të gjitha zonat fillojnë të mungojnë ushqimet dhe uji. Por si u arrit deri në këtë gjendje? Për një profil historik të Kenias, e cila ka fituar pavarësinë në vitin 1963, të dëgjojmë prof. Xhampaolo Novatin, docent i historisë moderne dhe bashkëkohore të Afrikës, në Universitetin e Pavisë në Itali:
Pas vdekjes së presidentit të parë të vendit, Keniatës, në vitin 1978, rreth 15 vjet pas pavarësisë, u zgjodh Daniel Arap Moi. Është një presonazh shumë i errët, me pak prestigj e karizëm, që bënte pjesë në një grup etnik më pak të rëndësishëm. Konsiderohej atëherë si gur ekuilibri për të garantuar një udhëheqje të re, kundër kolonializmit. Por, gjatë presidencës së Arap Moit u krijua një lidhje e rrezikshme me mafien, e cila u shfrytëzua nga eksponentë të etnisë së shumicës, kikuju, e cila u lidh kështu me biznesin dhe me spekullimin politik të korruptuar. Brenda këtij grupi drejtues ishte edhe Kibaki, i cili ka pasur poste të rëndësishme në qeveri dhe ka qenë edhe zv.president. Në njëfarë kuptimi, konsiderohet si garanti i marrëdhënieve ndërmjet Moit dhe të korruptuarve kikuju. Më pas, marrëdhëniet ndërmjet Moit dhe Kibakit hynë në krizë, deri në shkëputjen e këtij të fundit, i cili u vu në krye të opozitës. Liberalizimi apo demokratizimi i Kenias është bërë shpesh nga lart, por ka pasur një mobilizimim të madh të shoqërisë civile, të intelektualëve, të shtypit dhe të Kishës katolike, në përkrahje të formave të kundërshtimit të pushtetit të Moit dhe të përgatitjes së zëvendësimit të tij, sa të ishte e mundur nga poshtë. Por Kibaki u tregua po aq i korruptuar sa Moi. Ka bërë vetëm disa reforma të rëndësishme në shëndetësi dhe arësim, duke e shtrirë asistencën shëndetësore dhe pjesëmarrjen në shkolla për të gjithë.
C’ndodhi pas përfundimit të mandatit të parë të Kibakit, në fund të vitit 2007?
Në momentin e rizgjedhjes, kundërshtimi u bë edhe më i fortë dhe doli në pah një personazh, Raila Odinga, djali i zv.presidentit të Kenias. Marrëdhëniet ndërmjet Kibakit dhe Odingës degjeneruan me akuzat për manipulime të zgjedhjeve. Odinga nuk është politikan i ri, ka përqafuar idetë e opozitës, pjesërisht tribale dhe kundër etnisë kikuju. Ka mobilizuar grupin e tij etnik, luot, që është i dyti për nga rëndësia në vend, por ka bashkëpunuar edhe me grupe të tjera, të lodhura nga Kibaki. Disa mendojnë se ka mobilizuar të varfërit kundër të pasurve, kundër grupeve që kontrollojnë turizmin ndërkombëtar në Kenia. Por për të tjerë është negativ për traditën dhe ekuilibrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.