2008-01-04 18:52:17

Kosovë: më 16 janar mblidhet Këshilli i Sigurimit e më 28, Bashkimi Evropian


(04.01.2008 RV)Çështja e statusit të Kosovës do të diskutohet këtë muaj si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Më 16 janar, nën presidencën e Libisë, do të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ku ka kërkuar të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Akoma nuk është vendosur, por nuk përjashtohet mundësia që seanca të jetë publike, e jo me dyer të mbyllura.
Ndërkaq, mbrëmë, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun deklaroi se zgjidhja e çështjes së Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit do të kishte pasoja serioze për sistemin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian do të mblidhet për të përcaktuar kushtet dhe mënyrat e dislokimit të misionit të tij në Kosovë, më 28 janar. Për këtë, në një intervistë dhënë sot gazetës “Il Messaggero”, Ministri i jashtëm italian Masimo D’Alema thekson se Kosova përfaqëson një problem shumë delikat për Evropën dhe për stabilitetin e saj. “Rreziku më i madh – nënvizon D’Alema – është që kriza e Kosovës mund të frenojë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.