2008-01-03 18:23:46

Vijon suksesi ndërkombëtar i librit të Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”.


(03.01.2008 RV)RealAudioMP3 Tetë muaj pas botimit, Libri i Papës “Jezusi i Nazaretit” ka arritur në më se 2 milion kopje e gjatë vitit 2007 është shpërndarë në 50 vende të ndryshme, nga Shqipëria në Brazil, nga Japonia në Zelandën e Re, nga Egjipti në Indonezi.
E kjo, sepse njerëzit kanë gjithnjë më shumë etje ta njohin Jezusin. Jezusi i Ungjijve, siç paraqitet nga Papa në librin e tij, përkon me Jezusin real, Jezusin historik në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Shumë e kanë studiuar figurën e Krishtit të kryqëzuar e të gjithëve Jezusi vijon t’u bëjë pyetjen: “Kush thoni se jam unë? E përgjigjet janë të shumta:
“Edhe sot është kështu: shumë i afrohen Jezusit, si të themi, nga jashtë, Studiues të mëdhenj ia njohin madhështinë shpirtërore e morale e ndikimin mbi historinë e njerëzimit, duke e krahasuar me Budën, Konfucin, Sokratin e dijetarë apo figura të tjera të mëdha të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë se ai është unik… Si asokohe, ashtu edhe sot, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin. E si atëherë, edhe ne, dishepujve të sotëm, Jezusi na përsërit pyetjen: “E ju, kush thoni se kam unë?”. Dëshirojmë të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë” (Homeli e mbajtur më 29. 06. 2007)
Në librin e tij Papa pohon se Jezusi i ka bërë të bien poshtë të gjitha kategoritë e interpretimit e se vetëm duke u nisur nga misteri i Krishtit Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, mund të kuptohet vërtetë figura e Jezusit. Por, ta njohësh Jezusin – ripohon Ati i Shenjtë - nuk do të thotë të njohësh thjeshtë një teori; do të thotë të takosh konkretisht një Vetje të gjallë. Është përvojë që i jep jetës gëzimin e vërtetë, ashtu siç u tha të rinjve të Pavisë më 22 prillin e kaluar:
”Të dashur të rinj e të reja, ju uroj ta zbuloni gjithnjë më shumë gëzimin që buron nga ecja në gjurmët e Krishtit dhe nga lidhja e miqësisë me Të. Është gëzimi i Pjetrit dhe i Apostujve të tjerë, i Shenjtorëve e i Shenjtoreve të të gjitha kohërave. Ky gëzim më ka shtyrë edhe mua të shkruaj librin ‘Jezusi i Nazaretit’, që sapo është botuar. Për më të rinjtë është shumë impenjativ, por simbolikisht po jua dorëzoj juve, që të shoqërojë rrugën e fesë të breznive të reja”.
Papa na kujton se nuk mjafton të deklarosh se je mik i Jezusit:
“Miqësia e vërtetë me Jezusin shprehet në mënyrën e jetesës: shprehet me mirësinë e zemrës, me përvujtërinë, me butësinë e mëshirën, me dashurinë për drejtësinë e për të vërtetën, me impenjimin e sinqertë e të ndershëm për paqen e pajtimin. Kjo, mund të themi, është karta e identitetit, që tregon se jemi miqtë e Tij të vërtetë; kjo është ‘pasaporta’, që na krijon mundësitë të hyjmë në jetën e pasosur”.(Lutja e Engjëllit të Tënzot më 26. 08. 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.