2008-01-03 18:24:41

Sot Kisha përkujtoi të Shenjtnueshmin Emrin e Jezusit.


(03.01.2008 RV)Gjatë jetës së Tij tokësore, Krishti u njoh me emrin Jezus, emër që ia ngjiti Shën Jozefi pasi iu duk në ëndërr Engjëlli i Zotit e i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus!” (Mt. 1, 19-21).
Emri i Shenjtnueshëm i Jezusit është nderuar që në bashkësitë e para të krishtera, por kulti liturgjik i këtij emri fillon vetëm në shekullin XIV. Shën Bernardini i Sienës, i ndihmuar nga bashkëvëllezërit e tij, posaçërisht nga Alberto Sartiano e Bernardino da Feltre, e përhapi me zell të madh këtë devocion derisa, më në fund, u themelua festa liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII autorizoi Urdhërin Françeskan të lexonte Oficen e Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit. Gjon Pali II e rivendosi festën në kalendarin Romak më 3 janar.
Në Bibël emri Jezus kujtohet me këto fjalë: “E përuli vetveten, duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, deri në vdekjen në kryq. Prandaj Hyji e lartësoi sa më s’ka dhe i dha emrin, që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju, i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë:“Jezu Krishti është Zot në nder të Hyjit Atë!”.(Fil “, 8-11)







All the contents on this site are copyrighted ©.