2008-01-03 18:24:51

Martiri dom Luigj Prendushi në 112-vjetorin e ditëlindjes.


(03.01.2008 RV)Dita e sotme na rikujton një ngjarje të madhe: Vizitën e kardinalit Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve në Shqipëri nga 6 deri më 11 nëntor 2002.
Gjatë kësaj vizite, në katedralen e Shkodrës u hap procesi i beatifikimit e i kanonizimit për 40 martirë të kishës katolike shqiptare, kryesisht viktima të komunizmit, shqiptarë e misionarë të huaj që janë ikonë e gjallë e Kishës Universale.
Njëri nga të dyzetët, që flijuan jetën për Krishtin është Dom Luigj Prendushi, të cilin po e kujtojmë sot në 112 vjetorin e lindjes.

Dom Luigji lindi në Shkodër më 3 janar 1896. Si kreu shkollën fillore në vendlindje, nga viti 1908 deri më 1921 studioi në Piemont (Itali), në Kolegjën Skarnafizi e Sarvano. Po në këtë krahinë, në veri të Italisë, u shugurua meshtar, për t'u kthyer menjëherë në Atdhe e për të filluar shërbimin meshtarak. Nisi të predikojë Krishtin në malet e ashpra të Mazrekut, për të zbritur në Nënshat e më pas për t'iu ngjitur rishtas maleve, në zonën tejet të vështirë të Shllakut. Ravgoi më pas nga Dardha e Pukës, në Koman, Dush e së fundi, deri më 1946, në Kaçë-Naraç e Shelqet.
U arrestua më 5 dhjetor 1946, në valën e martirizimit të Kishës katolike, me akuzën spijun i Vatikanit. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend të shkretë më 24 janar 1947. Eshtrat e tij u gjetën vetëm pas 45 vjetësh, u sollën në qytetin e lindjes e u rivarrosen në Rrëmaj, pranë eshtrave të familjarëve të vdekur, në maj të vitit 1992.Ka shumë mundësi që ai varr gati-gati i panjohur, mes qindra varresh në varrezën e lashtë, nën selvitë e Rrëmajit, në Shkodër, të bëhet cak shtegtimesh fetare, lutjesh e ndërmjetësie, monument feje e ngushëllimi për Shkodrën e Shqipërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.