2008-01-03 18:06:19

Ku shkon Pakistani pas vdekjes së Benazir Butos


(03.01.2008 RV)RealAudioMP3 Ulet relativisht tensioni në Pakistan pas shtyrjes së zgjedhjeve në datën 18 shkurt dhe pas fjalimit të presidentit Musharraf drejtuar kombit. Të gjitha forcat politike janë përqëndruar në fushatën elektorale. Pas pak ditësh do të mbërrijë gjithashtu në Islamabad një skuadër hetuesish britanikë, të cilët do të ndihmojnë në gjetjen e vrasësve të kryetares së opozitës, Benazir Buto. Cilat janë parashikimet për zgjedhjet e ardhshme. Të dëgjojmë opinionin e Ejaz Ahmadit, gazetar pakistanez që jeton në Itali:
Mendoj se pas vrasjes së Benazir Butos, partia e saj e ka rritur konsensusin në opinionin publik, megjithëse në të kaluarën është përfshirë në skandale. Edhe Lidhja Myslimane, që mbështet Musharrafin, kërkoi kohë, sepse nuk arrinte të zhvillonte si duhej fushatën elektorale. Pas zgjedhjeve, gjendja në Pakistan do të qetësohet. Nuk e di se cila do të jetë e ardhmja e Pervez Musharrafit. Ekziston frika e manipulimeve në zgjedhje nga ana e qeverisë në fuqi.
Mendon se do të vendoset ndonjë regjim ushtarak?
Ushtarakët kanë rrënjë shumë të forta në Pakistan. Islami nuk arriti të bëhet elementi bashkues i këtij vendi e në këtë moment, ky element përbëhet nga ushtarakët. Do të shohim se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Ne nuk kemi parti demokratike të konsoliduara, ndërsa fqinji ynë për shembull, India është rritur demokratikisht. Kemi nevojë për kohë, por edhe për ndihmën e vendeve perëndimore, që duhet të ndryshojnë taktikë. Nuk kemi nevojë për ndihma ushtarake, por për ndihma shoqërore, sepse populli pakistanez po kalon nga kriza, në një varfëri të padëgjuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.