2008-ta, Vit evropian i dialogut ndërkulturor: reflektim i kardinalit Toran.
(02.01.2008 RV)Viti 2008 është vit i dialogut ndërkulturor, shpallur nga Komisioni
i Brukselit me moton: ‘Së bashku në larmi’. Nisma synon të sigurojë harmoninë në bashkëjetesën
e nënshtetasve evropianë, përmes kuptimit të dobive që sjell pasuria kulturore. Lidhur
me këtë, Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar nënvizon se nuk ka kulturë pa fe e
fe pa kulturë. Por, ç’vend zë dialogu ndërfetar brenda këtij dialogu ndërmjet kulturave?
Të dëgjojmë kardinalin Zhan-Lyi Toran në mikrofonin e Radio Vatikanit: Përgjigje:
- Dialogu ndërfetar, natyrisht, duhet parë si dialog ndërmjet njeriut e Zotit;
njeriut, që bën pyetje për kuptimin e jetës, të vdekjes, të së keqes… Pikërisht në
këtë nivel duhet parë dialogu ndërfetar. Pse? Sepse, mendoj se feja flet për madhështinë
e njeriut, flet për humanizmin, i cili jo vetëm që nuk e shkatërron kulturën, por
e pasuron. Në dialogun ndërfetar ka një pedagogji që ndihmon për të fituar vetëdijen
e unitetit të gjinisë njerëzore, të dinjitetit të njeriut e që të çon në kërkesën
e faljes e të njohjes reciproke. Pyetje: - Magjisteri i Papës Benedikti
XVI mbi dialogun ndërmjet fesë e arsyes gjen një përmasë të mirëpërcaktuar në fushën
e dialogut ndërkulturor e ndërfetar. Si mund të kuptohet ky takim? Përgjigje:
- Papa ka thënë se duhet guxim për t’i hapur rrugën arsyes, për të mos pasur frikë
nga arsyeja. Në leksionin e tij në Regensburg kujtoi se të mos veprosh sipas arsyes,
të mos veprosh me Logos, është në kundërshtim me natyrën e Hyjit. Jemi të detyruar,
prandaj, të rigjejmë përmes këtij dialogu ndërmjet kulturave e feve, kuptimin e hyjnores.
Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por jeton edhe me kulturë, edhe me lutje. E nuk duhet
ta harrojmë kurrë se feja flet me gjuhën e lutjes. Pyetje: - Hirësi si mund
t’i sintetizojmë lidhjet e fesë me kulturën në dritën e sfidave të sotme? Përgjigje:
- Në fakt, është një sfidë e madhe. Papa Pali VI, që ishte njeri me kulturë të
gjërë, do të thosha një humanist në kuptimin e plotë të kësaj fjale, e konsideronte
shkëputjen e kulturës nga Ungjilli si dramën më të madhe të kohëve tona. Besoj se
në këtë kuptim ishte profet i vërtetë. Jemi të thirrur të pajtojmë kulturën me fenë
e t’i ndihmojmë bashkëkohësit të kuptojnë se kemi nevojë të besojmë, në se duam të
jetojmë mirë. Njeriu që nuk lutet, është shpirtërisht i gjymtë, sepse është krijuar
për t’u lutur, për t’u lidhur me Hyjin, për të jetuar përtej sendeve materiale e për
të gjetur përgjigjen përfundimtare për të gjitha pyetjet që i lindin. Besoj që edhe
në dialogun ndërfetar ka rëndësi të nënvizohet se, në fund të fundit, lutja është
ajo që mund ta ndryshojë zemrën e njeriut. Fetë kanë misionin ta shtyjnë njeriun të
veprojë me drejtësi, të jetë i mëshirshëm, të ecë përvujtërisht në rrugën e Zotit.
Kështu thotë Mikea profet në Bibël.