2008-01-01 17:49:36

Sot Kisha kremtoi solemnitetin e Nënës së Zotit dhe Ditën Botërore të Paqes


(01.01.2008 RV)RealAudioMP3 Më 1 janar Kisha kremton misterin e Marisë, Nënë e Zotit. Po ç’peshë ka kjo e vërtetë e fesë? Ia kërkuam përgjigjen kardinalit Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit:

Përgjigje:- Ka peshë të pamatshme e njëkohësisht edhe ngushëllim të jashtëzakonshëm. Vetë fakti që Kisha e kremton këtë festë në fillim të vitit, na thotë: “Shikoni se e vetmja portë pas së cilës gjindet gëzimi, kuptimi i jetës, është porta e amësisë hyjnore të Marisë. E kjo, sepse po të hapim librin e gjendjes civile të njerëzimit, do të gjejmë në të emra të tmerrshëm: të mendojmë vetëm për emrin e Neronit, të Dioklecianit, të diktatorëve të mëdhenj, të xhelatëve të kohëve tona: Hitleri, Stalini, Pol Poti… e njerëz të tjerë, që gjithë jetën s’bënë tjetër, veçse të mbytnin botën në gjak. S’ke ç’thua tjetër kur i mendon, veçse: Më vjen turp t’i përkas një njerëzimi të tillë! Por ja, na ngushëllon mendimi i amësisë hyjnore. Në librin e gjendjen civile të botës, në një nga rreshtat, gjejmë edhe emrin Jezu Krishti. Amësia hyjnore e Marisë na thotë se Hyji hyri në historinë tonë, u bë farefis me njeriun, me ne. Hyji na deshi deri në këtë pikë, e Maria ishte porta nëpër të cilën Zoti u bashkua me ne, u bë vëlla me të gjithë njerëzit, me secilin prej nesh. Prandaj nuk mund ta falënderojmë kurrë aq sa duhet Marinë, sepse Zoti trokiti në portën e lirisë së saj, portë që atë ças përfaqësonte mbarë njerëzimin. E përmes Marisë, Zoti u bë i afërmi i secilit nga ne, u bë Emanueli.

Pyetje: - Urimi juaj, hirësi, për 2008-tën, vit në të cilin do të përkujtojmë edhe 150-vjetorin e dukjeve të Virgjërës Mari në Shpellën e Masabielës?

Përgjigje: - Dëshiroj të them se 150-vjetori i dukjeve të Zojës në Lurdë, është shenjë e madhe shprese. Maria, pikërisht sepse është Nënë, nuk do ta braktisë kurrë njerëzimin, nuk do t’i lëshojë kurrë dore bijtë e saj. Në Lurdë e në Fatima ne ndjemë rrahjet e zemrës së Marisë. Kjo zemër vijon të rrahë për njerëzimin e përmes saj, ne ndjejmë dashurinë e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.