(01.01.2008 RV)Mijëra
mendime zjejnë sot në mendjet e njerëzve në mbarë globin: filloi një ditë e re, jo
e zakonshme: dita e parë e një viti të ri. Çfarë të themi? Çka të dhurojmë? Si e ke
të urojmë? Ç' plane të thurim? Ç'fshihet pas ditëve të këtij viti? Ç'do të kujtojmë
një vit më vonë nga 2008-ta? Meditojmë e kujtohemi se bota jonë është mësuar
të vrapojë, se nuk di të presë, nuk do të dëgjojë: sateliti, interneti, televizioni,
gjithë kjo botë e pafund teknologjike, që i premton një jetë më të mirë, nuk bën
tjetër veçse t'ia ndërlikojë të përditshmen, duke e nxitur të ndjekë modën e fundit,
të dëgjojë lajmin e fundit…. Vrapi është kaq i shpejtë, sa gati gati të bën të
harrosh ngjarjen që ndodhi jo më larg se dje, të cilën duhet ta kujtosh, në se don
të kesh të nesërme. Kështu, duke vrapuar e duke harruar, bota sulet drejt buzës së
një gremine, në të cilën terrorizmi islamik është vetëm një nga simptomat e këtij
vrapi pa fre. Dhe ja, arrin një Krishtlindje tjetër, një tjetër Vit i Ri: një
çast pritjeje e propozimesh, çast për të festuar së bashku, çast në të cilin kërkon
ta ndalësh kohën! Të gjithë ne, në të përditshmen tonë, matemi me kohën, këtë realitet
që nganjëherë na kushtëzon më shumë se çdo gjë tjetër. "Nuk kam kohë…"; " po të
kisha kohë"; " nuk më del koha" " do të vijë një kohë, kur do të mund të…", "koha
mbaroi" " e kështu, ndërmjet brerjeve të ndërgjegjes për kohën e humbur e urimit për
ta shfrytëzuar më mirë, koha rrëshqet e ne, në ditë të mëdha si kjo që po festojmë,
i bëjmë vetes pyetjen : "Vërtetë mbaroi koha jonë?". Ndoshta ka ardhur ora ta zbulojmë
të fshehtën e kohës. Eshtë pasuria më e madhe që shpërndahet në mënyrë të barabartë
ndërmjet të gjithë njerëzve, të cilët banojnë mbi këtë tokë. Për të varfrin, ashtu
si për të pasurin, ditët kanë 24 orë, e pra dikujt -dikujt nuk i mjaftojnë, ndërsa
ndokush është i detyruar ta vrasë kohën. Për dikënd koha që duhet zbuluar është
ajo e heshtimit, e vetmisë, e dëgjimit, e lutjes… për të tjerë, është koha e veprimit,
e shërbimit, e impenjimit për të afërmin; për të tjerë akoma, koha duhet zbuluar në
të gjitha ngjyrat e mundësitë e saj. Koha jonë nuk është koha e të tjerëve, koha
e burrave ndryshon nga koha e grave, koha e jugut rrjedh ndryshe nga koha e veriut,
koha e të rinjve nuk është ajo e pleqve e posaçërisht koha e jetës sonë mund të jetë
krejt e ndryshme nga ajo e njerëzve që jetojnë ndër vise të tjera të largëta. Një
fëmijë 14 vjeç pyeste një ditë: sa kohë duhet për të kuptuar se të gjithë njëlloj
ecim mbi këtë Planet e se vetë Planeti rrotullohet në univers? Një Vit i Ri hap
para nesh portat e kohës së vet: na dhuron: Kohë për të shëtitur në brigjet e lumit
duke erëtuar profumet e pranverës; për të ecur me vendosmëri drejt realizimit të
qëllimeve tona; për të vrapuar, që të arrijmë të parët në cakun e dëshiruar; për
të pushuar pakëz e për të shikuar ç'ngjet për rreth. Kohë për të shëtitur e për
të parë qiellin e qindisur me yje; për të shkuar e për t'u takuar me një mik; për
të vrapuar, që ta ndjejmë veten më të fortë; për t'u ndalur një të imtë e për të
reflektuar. Kohë për të shtyrë një karrocë, nga pelenat e së cilës qesh një foshnjë; për
të ecur në një shteg të rrëpirtë, për të vrapuar që të takojmë të parët një mik, për
t'u ndalur, sepse gjunjtë nuk na mbajnë më. Kohë për të shëtitur nëpër rrugët përplot
me njerëz, për të shkuar, as ne s'e dimë se ku; për të vrapuar që të mund të
bëjmë sa më shumë punë, për t'u ndalur pranë një elteri, për t'u lutur. Kështu
njerëzit vrapojnë pas kohës: të ngutshëm, të vrullshëm, të paduruar, të dërsitur,
të nxituar… Për të shëtitur…. Për të ecur… për të vrapuar, për t'u ndalur…Nuk të
kërkoj, o Zot, kohë për të bërë këtë e atë, të lutem të bëj në kohë atë që Ti më dhuron,
atë që dëshiron Ti vetë! Koha e jetës sonë është e çmuar për t'i dhënë kuptim asaj
të të tjerëve, për të medituar se kush jemi e ç'duhet të bëjmë, për të njohur e për
të kërkuar, për të dashur e për të kuptuar se çdo ditë e Vitit të Ri, që sapo filloi,
është një mrekulli!