2007-12-29 17:54:38

Vdekja e Atë Fishtës në kujtimet e Atë Paulin Margjokajt ofm


(30.12.2007 RV)Po e kujtojmë Atë Fishtën në 67 vjetorin e vdekjes, tue shfletue edhe disa "Dromca historie" nga Ditaret e panjoftuna të Doktor-Profesor Atë Paulin Margjokajt O.F.M., dishmitár pamor i funeralit ma madhështor që ka pá ndonjë herë Shqipnia.
E hane, 30 dhetuer 1940
Sot nade ora 1. 15 mbas mjesnatet diq në spitalin e Shtetit në Shkodër, P. Gjergj Fishta.
Pat shkue në Troshan kinse po largohet per pak kohë prej poteres së gjytetit, por aty u lig keqas e kje kah des prej zemret, aq sa edhe e vojuen. E prûnë meiherë në Shkoder e e shtruen në spital, ku filloi me u bâ ma mirë. Një ditë të dielle, me 22, ndërsá po i shijshin oden, del në dritore a aty merr nji të therun në mushkninë e djathtë. Filloi polmonita. Luogotenenca dërgoi primarin e Tiranës me e vizitue. E pruni randë. Sot qi diq, ndodhi në Shkoder Z. Ernest Koliqi, Ministër i Arsimit, qi urdhnoi me i mbyllë të gjitha shkollat e gjytetit e me e vû flamujt gjysë-shtizë. Në orën 4 mbasdite u bart trupi i tij prej spitalit, në kishë t'onë. U bart ndër duer e tanë mësyjshin me e kapë arkivolin e tij. Deri prefekti e barti, e mandej auktoritetet tjera, shkollarët, seminaristat…Koliqi u nis për Tiranë.
Në Meshën qi u tha, kjenë Luogotenenti, Kryeministri Verlaci, Ministri i Mbrendshëm Bushati, Koliqi, Meloni, auktoritete fetare e civile e ushtarake si dhe popull i shumtë. Mbajti fjalimin Imzot Thaçi, i cili edhe tha Meshën e Madhe, qi u regjistrue ndër disq fund e maje. Komiteti bashkijak caktoi me bâ mbasdite nji sjellje të madhnueshme nëpër qytet, tue fillue nga Rruga Viktor Emmanueli II, në rrugën Gjeçov, në Skanderbeg e Katedrale, ku u bâ salikimi prej Mons. Prennushit e mandej trupi u kthye nëpër rrugën Konti Çiano, Viktor Emmanueli IV e Kisha françeskane. Para postet u bânë 5 fjalime: Kryetari i bashkisë, Mark Kakarriqi, prefekti Riza Dani, Hafiz Kastrati, Aleks Xhuvani, Nush Topalli. Ministri Koliqi e ndoq arkivolin gjithkund tue kjá prej përmallimit.U vorrue në fund të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.