Papa lutet për paqe në Pakistan dhe e quan ‘sulm brutal terrorist” atentatin kundër
Benazir Butos.
(30.12.2007 RV)Papa lutet për paqe në Pakistan, vend i tronditur nga ‘sulmi
brutal terrorist’ – siç e quajti Benedikti XVI vrasjen e të enjtes së kaluar në Ravalpindi,
të ish-kryeministres Benazir Buto. Ati i Shenjtë i shpreh ndjenja simpatie të thellë
e afërsie shpirtërore familjes së Benazir Butos si dhe mbarë kombit pakistanez. Në
një telegram ngushëllimi dërguar në emrin e Atit të Shenjtë nga sekretari i Shtetit
të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore pakistaneze,
imzot Lorenc Xhon Saldhana, Benedikti XVI e quan ‘sulm brutal terrorist’, vrasjen
e ish-kryeministres, lutet që të shmanget ushtrimi i dhunës e të bëhen të gjitha
përpjekjet për të krijuar një klimë respekti e besimi, të cilat janë aq të nevojshme
për të ruajtur rendin në shoqëri e për t’u krijuar institucioneve politike të vendit
mundësinë që ta kryejnë me sukses detyrën e tyre. Papa e kujtoi tokën e martirizuar
të Pakistanit edhe në mesazhin e Krishtlindjes të 25 dhjetorit të kaluar: duke folur
edhe për sitauata të tjera krize, kujtoi viktimat e shumta të terrorizmit e të dhunës,
që u shkaktojmë vuajtje të pashembullta shumë popullsive. Nënvizoi edhe se tensionet
etnike, fetare e politike, mungesa stabilitetit, rivalitetet, kundërvëniet, padrejtësitë
e diskriminimet që copëzojnë indin e brendshëm, në shumë vende, i ashpërsojnë më tej
marrëdhëniet ndërkombëtare. Benedikti XVI i nxiti udhëheqësit e qeverive të kenë urtinë
e guximin për të kërkuar e për të gjetur rrugëzgjidhje njerëzore, të drejta e të qëndrueshme.