2007-12-29 17:53:51

Meditim në prag të Vitit të Ri 2008!


(30.12.2007 RV) Kaloi edhe një vit e, në fund të tij, si zakonisht, njeriu bën bilançin e ditëve që shkuan. Mendon për të ardhmen, sidomos. Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë ditëve të një viti e, për fat të keq, jo të gjitha kanë qenë të këndshme: tragjedi personale e kolektive, vështirësi të vogla e të mëdha janë mbjellur në brazdat e ditëve e të netëve të çdo njeriu e të njerëzimit…
Në çdo fund viti "thesi i jetës sonë" është plot me kujtime e shpesh kujtimet e trishtuara i errësojnë ditët e bukura që kemi kaluar gjatë një viti. Na lind atëherë dëshira ta flakim të kaluarën, ta harrojmë, me shpresën se në jetën tonë do të kemi një të nesërme të re.
Këtë shpresë na e ngjallin njerëzit që ia kushtuan gjithë jetën Krishtit, njerëz që sikurse ne, jetuan çaste të mira e të këqija; njerëz që na tregojnë shtigjet nëpër të cilat duhet ecur për të arritur te Hyji i Jezu Krishtit e për të jetuar në dritën e Shpirtit të Tij. Duke ecur në gjurmët e tyre, mund të ndjekim shtigjet e fesë, dashurisë, shpresës, gëzimit që na sjell lajmi i ri i Ungjillit.
Ata na kujtojnë se kemi mundësi ta jetojmë me vertetësi e thellësi çdo vit të ri, i cili vjen menjëherë pas Krishtlindjes, që do të thotë këndellje, jetë e re, kthesë e mendjes dhe e zemrës. Në se Zoti desh të bëhej njeri për dashurinë tonë, edhe ne, që Ai na do aq shumë, mund të bëjmë gjithçka për të. T'i lutemi Zotit, prandaj, që në këtë viti të ri, të mishërohet në zemrat tona, me një gëzim që asgjë nuk mund ta errësojë; t'i lutemi të mishërohet edhe në zemër të mbarë njerëzimit, që më në fund në vitin 2008 të shkëlqejë në jetën e të gjithëve dhurata e madhe e paqes. Drita vezulluese e Shpellës së Betlehemit tashmë rrezaton përsëri mbi botë. Të nisemi drejt saj e do të zbulojmë me gëzim se Zoti është me ne, mjafton t’ia hapim shtëpitë tona, jetën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.