2007-12-29 17:53:24

Editorial i atë Federiko Lombardit për ‘40-vjetorin e Ditës së Paqes’, në ‘Octava Dies’.


(30.12.2007 RV)Në dhjetor të vitit 1967 Pali VI, duke u bërë interpretues i ‘dëshirave të popujve, të qeveritarëve, të institucioneve ndërkombëtare e të lëvizjeve politike e shoqërore … që e kanë për zemër paqen’, publikonte një Mesazh për t’i nxitur “të gjithë njerëzit vullnetmirë” ta kremtonin “Ditën e paqes” në të gjithë botën më 1 janar, ditën e parë të vitit civil. Papa ngulte këmbë që kjo nismë të mos shikohej thjeshtë si “jona, fetare, dmth katolike” por dëshironte “të bëhej nismë e të gjithë miqve të vërtetë të paqes, si të ishte nismë e tyre dhe të shprehej në forma të lira”. Kisha katolike dëshironte vetëm të jipte idenë e t’u kujtonte bijve të saj impenjmin për paqen. Asokohe bota ishte e copëzuar: në vitin 1967 fillonin bombardimet në Vietnam e ndodhte ‘lufta e gjashtë ditëve’, në 68-tën do të vinte ‘Pranvera e Pragës’ e më pas, turbullirat e majit… Ftesa e Palit VI pati jehonë të madhe në botë: i kishte prekur njerëzit aty ku u dhimbte, kishte gjetur mënyrën të krijonte vazhdimësinë e frymës së “Pacem in Terris” të Gjonit XXIII e të ‘Gaudium et spes” të Koncilit II të Vatikanit.
Për 40 vjet me radhë papët ia drejtuan botës këtë mesazh, duke e zhvilluar në shumë aspekte: nga edukimi, tek çarmatimi e tek politika ndërkombëtare; nga përshpirtëria, tek drejtësia; nga ekonomia tek mbrojtja e ambientit. Një korpus tepër i gjërë reflektimi e doktrine, një ftesë e ngushtme për dialog, për kthesë e për falje. Një shërbim, ky, me vlera të pallogaritshme për kauzën e paqes.
Bota, për fat të keq, vijon të vuajë për shkak të urrejtjes, të dhunës, të terrorizimit e të luftës. Ditë për ditë dëgjojmë lajme vdekjeje. Pikërisht për këtë arsye do të kemi gjithnjë nevojë për lajmet e paqes. Kisha, papa, do të vijojnë me ngulm të japin kontributin e tyre. Siç kujton Benedikti XVI, mbështeten mbi një shpresë, që është më e fortë se urrejtja e se vdekja.










All the contents on this site are copyrighted ©.