Atë Gjergj Fishta në 67 vjetorin e vdekjes (30 dhetuer 1940).
(30.12.2007 RV)Dita 30 dhetorit
të vjetës 1940 regjistrohet në të gjitha kronikat historike të Shqipnisë, në prag
të një robnie të re. Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar kishte ndërrue jetë! Të nesërmen
vonë, një grup zhgunamurrtësh hapte, me zemër të këputun, vorrin e Poetit. Për me
ia plotësue dishirin e mbram “Një kryq druni, t’kjosha true/ Nxire e venma përmbi
krye!”- i vunë te kryet një kryq dullije. Thonë se, kur e pyetën njenin prej kundërshtarëve
të tij se çka i kishte lakmi Atë Fishtës, u përgjegj me një fjalë të vetme: “Funeralin!”.
Dhe kishte të drejtë: nuk kjanë për dokedo një Komb i tanë! Po me qenë se ai nuk
kishte dekë, sepse Kangatari i Lahutës nuk mund të desë kurr, historia e jetës së
tij nuk u mbyll nën rrasën e akullt, që sivëllazënt me kapuçat françeskanë ulun fort
mbi sy, për me mshehë lotët-rrëkajë, vunë mbi reliket e tij.
Zhvarrimi vandal:
Ende
nuk ishin terë lotët, kur në kishë hynë furishëm ata që e quejshin veten çlirimtarë.
Thue kishin ardhë me çlirue të dekunin prej vorrit? Thue prandej i hoqën me aq turr
kunorat me lule, flakën kryqin e thjeshtë prej dullije e gërricën shkrojlat, tue e
lanë rrasën e ftohtë, të bardhë prej mermeri, pa emnin e tij? Apo kishin ardhë me
e çue prej vorrit për ta martirizue, ashtu si bashkëvëllazënt? Me bindjen se nuk
do ta çonte kurrë ma rrasën. Fillë mbas vorrit do t’i vinte radha kishës: më 6
shkurt edhe asaj kujtuen se i erdh fundi. E tek e kthejshin tempullin e Hyjnisë në
teatër sukujsh, papritë u kujtuen se ai s’kishte dekë. Ai ishte gjithnjë aty! Atëherë
u dynden rishtas te Vorri pa emën. E hapën me mllef. I nxorën ngutshëm eshtënt dhe
i flakën në Dri. Besuen se tashma kishte marrë fund, se s’do t’i ndigohej ma zani. Por
Kangatari i “Mrizit të Zanave”, i mbetun pa vorr, si Skënderbegu, vijoi të jetonte
strukë në kujtesën e në legjendën e Kombit, bashkë me herojtë e epopesë së tij. Tue
pritë me e çue prap rrasën.
Ringjallja:
E u ringjall, sapo Kombi
bani përpjekjet e para për t’u kthye në jetë! U ringjall 50 vjet mbasi i kishte
mbyllë sytë, më 28 dhetuer 1990, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në
Tiranë, shi aty ku ishte hedhë aq shumë baltë mbi emnin e tij të pamort. Mandej,
më 30 dhetuer 1990, në Klubin e Rinisë, në Shkodër, prej kah ishin flakë jashtë bashkëmotrat
stigmatine e ishin shqiptue dënimet me vdekje të bashkëvëllazënve. Me 13 dhetuer
1995 në fundin e kishës françeskane të Gjuhadolit, që po rindërtohej, filluen gërmimet
shi në atë vend ku ai kishte zdrypë 55 vjet ma parë. Nën copat e tullave dhe materialit
të ndërtimit që mbushte vorrin, ai u gjet rishtas: dolën nga dheu grimca eshtënsh
të shkapërhapuna, të harrueme prej ngutit e tmerit të gjestit makabër. Zoti kishte
premtue që të ruheshin pikërisht eshtënt e dorës së tij të djathtë, të asaj dore që
shkroi “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”,
“Jerinën”, “Gomarin e Babatasit”… mija e mija vargjesh e rreshtash që duken si të
shkrueme sot e për sot! E u ringjall më 29 dhetuer 1996, kur emni i madh u duk rishtas
mbi rrasë: vorri u rindërtue e mbi te ngadhënjeu Kryqi i dullijës! E mandej ata
që nuk e kanë harrue kurrë, e panë përsëri të gjallë, thadrue në mermer, në mjedis
të Shkodrës, që e deshti aq fort. Atë Gjergj Fishta asht gjallë. Asht rikthye në
gji të popullit të vet, i cili ia ndjeu aq shumë mungesën: përsëritje e fatit të gjenive
të cilët, tue kalue nëpër rrethana të kobshme, nëpër mohim, vandalizëm e urrejtje,
rikthehen pambarimisht për me u pri popujve të tyne në rrugën e lirisë së vërtetë.