2007-12-28 17:12:44

Varroset ish-kryeministrja e Pakistanit Benazir Bhutto ndërsa Vendi është zhytur në krizë të thellë.


(28.12.2007 RV)RealAudioMP3 Në Pakistan, ish-kryeministrja dhe udhëheqësja e opozitës Benazir Bhutto, e cila u vra dje, u varros sot në mauzoleun e familjes në provincën jugore Sindh. Qindra mijëra njerëz u rreshtuan në të dy anët e rrugës nga kalonte funerali. Arkivoli me trupin e zonjës Bhutto ishte mbështjellë me flamurin e Partisë Popullore të Pakistanit së cilës ajo i përkiste. Benazir Bhutto u varros pranë të atit, Zulfikar Ali Bhutto. Ajo u vra dje në Ravalpindi kur po largohej nga një miting politik i fushatës së saj për zgjedhjet parlamentare të 8 janarit.
Po dhuna në Pakistan nuk ka të ndalur, madje edhe sot në ditën e varrosjes së Bhuttos. Një autobombë ka shpërthyer në Swat, veri-perendim në kufi me Afganistanin, duke vrarë 6 persona, mes të cilëve edhe një kandidat per deputet të partisë së presidentit Musharaf.
Kryeministri i përkohshëm i Pakistanit Mohammadmian Soomro, pohoi se qeveria tani për tani nuk ka plane për t’i shtyrë zgjedhjet. Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf fajësoi terroristët për atentatin ndaj Bhuttos dhe premtoi se do të çrrënjosë ekstremizmin islamik në vend. Presidenti Musharraf ka shpallur tre ditë zie në Vend dhe ka bërë thirrje për qetësi e rend. Forcat pakistaneze të sigurimit janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie.


Papa dhe bota mbarë dënojnë vrasjen e ish-kryeministres Benazir Bhutto.
Papa Benedikti XVI ka dërguar një telegrram ngushllimi Presidentit të Konferencës ipeshkvnore të Pakistanit, imzot Lawrence John Saldhana, për vdekjen e ish kryeministres Benazir Bhutto, dhe vrasjen e saj e quajti “sulm të shëmtuar terrorizmi”. Në telegram, dërguar përmes Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarcisio Bertone, Ati i Shenjtë Benedikti XVI “shpreh ndjenjat e thella të simpatisë e të afërsisë shpirtërore me familjen e Bhuttos dhe me mbarë kombin pakistanez”. Papa Racinger kërkon ndalejn e dhunës e “ndërmarrjen e të përpjekjeje për rivendosjen dhe ndërtimin e respektetit e besimit”, të domosdoshme për mbajtjen e një rendi të mirë në shoqëri e në institucionet politike të Vendit për të punuar në mënyrë sa më të suksesshme.
Edhe Presidenti amerikan Bush e dënoi vrasjen e ish-kryeministres Benazir Buto. "Shtetet e Bashkuara e dënojnë me forcë këtë akt prej frikacakësh të kryer nga ekstremistët, që po përpiqen të minojnë demokracinë e Pakistanit,” thaBush “Ne qëndrojmë përkrah popullit të Pakistanit në luftën e tyre kundër forcave të terrorit dhe ekstremizmit. Ne u bëjmë thirrje atyre të nderojnë kujtimin e Benazir Butos duke vazhduar në rrugën e procesit demokratik për të cilin ajo dha jetën.” , tha ai.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, shprehu tronditjen e tij duke e quajtur atentatin ndaj zonjës Buto, “një sulm ndaj stabilitetit”. "Jam i shokuar për shkak të atentatit ndaj ish-kryeministres Benazir Buto dhe shumë civilëve të tjerë. Kërkoj prej autoriteteve pakistaneze që sa më parë të kapin dhe nxjerrin para drejtësisë organizatorët e këtij sulmi terrorist. I bëj thirrje popullit pakistanez që të jetë unik dhe të ruajë qetësinë e paqen në këto momente jashtëzakonisht të vështira", deklaroi Ban Ki Mun. Vrasjen e Benazir Butos e dënoi edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe shumë politikanë evropianë.







All the contents on this site are copyrighted ©.