2007-12-28 16:20:56

2007-ta e Benediktit XVI: Papa i tregon njerëzimit shpresën e sigurtë në Krishtin, që fiton mbi të keqen e historisë.


(28.12.2007 RV)RealAudioMP3 Një vit të cilin e ndriçoi dhe e udhëhoqi Shpresa ungjillore: mund të përmblidhet kështu viti 2007 i Benediktit XVI, i cili gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve i ofroi besimtarëve Enciklikën e tij të dytë dhe librin mbi ‘Jezusin e Nazaretit’. Ishte vit i shtegtimeve apostolike në Brazil e në Austri, i Letrës drejtuar katolikëve kinezë, i Nxitjes Sacramentum Caritatis dhe i përtëritjes së dialogut ekumenik me botën e krishterë e ndëfetar me botën myslimane. Të rikujtojmë disa nga çastet më të rëndësishme që kaloi, gjatë vitit 2007, Benedikti XVI, Papa i shpresës.
‘Spe salvi’ (Me shpresën shpëtuam). Enciklika kushtuar Shpresës publikohet në përfundim të vitit 2007, por për Papën gjithë viti që po përfundon u përshkua nga Shpresa ungjillore. Çdo gjest i magjisterit të tij është ftesë për të shpresuar në Tënzonë, në dashurinë e tij. Më 8 janar Papa takohet me Trupin Diplomatik për urimet tradicionale të vitit të ri. Fjalimi i tij drejtuar ambasadorëve është një vështrim mbi Planetin dhe një thirrje e fuqishme për kapërcimin e krizave politike shoqërore e humanitare. Benedikti XVI u kërkon ambasadorëve të Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, të mos i harrojnë vështirësitë, nganjëherë dramatike, që kalon njerëzimi i uritur në korp e në shpirt, e sidomos Afrikën:
“Il s’agit d’un défi qui consiste à prouvoir et à consolider…
Papa i nxit përfaqësuesit e shteteve të punojnë për konsolidimin e çdo gjëje pozitive në botë, duke kapërcyer, kështu, me urti e këmbëngulje, gjithçka e zvetënon dhe e vret njeriun. Për Ballkanin uron jo vetëm stabilitet politik, por edhe statusin për Kosovën dhe integrimin në strukturat e Bashkimit Evropian.
Prekëse vizita në burgun romak të të miturve të Kazal Marmos, më 18 mars. Po në këtë ditë, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ndalohet tek Eukaristia “burim i gëzimit të krishterë” dhe vë theksin mbi lidhjen ndërmjet Enciklikës së tij “Deus Caritas est” e Nxitjes pas-sinodale “Sacramentum Caritatis”, botuar më 22 shkurt:
“Ja pse zgjodha si titull ‘Sacramentum caritatis’, duke përsëritur përkufizimin e bukur të Shën Tomës së Akuinit, që e quajti Eukaristinë “Sakrament i dashurisë”. Po, në Eukaristi Krishti desh të na dhurojë dashurinë e vet, e cila e shtyu të flijojë jetën në Kryq për ne. Në Darkën e Mbrame, duke larë këmbët e nxënësve të vet, Jezusi na la urdhërimin e dashurisë: “Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin!”.
Më 13 prill paraqitet libri i Papës ‘Jezusi i Nazaretit’. Në parathënien e Librit, Benedikti XVI shpjegon se është fryt i një shtegtimi të gjatë shpirtëror. Në pak ditë vëllimi bëhet best seller në mbarë botën. Më 16 prill Ati i Shenjtë feston 80-vjetorin. Një ditë më parë, në Meshën për ditëlindjen e tij në Sheshin e Shën Pjetrit, i falënderon besimtarët që e shoqërojnë në shërbimin e tij me dashuri bijnore:
“Vazhdimisht shikoj me gëzim plot mirënjohje sa e madhe është radha e atyre që më mbështesin me lutje; atyre që, me fenë e dashurinë e tyre më ndihmojnë ta kryej shërbimin tim, që më falin për ligështitë e mia, duke parë edhe në hijen e Pjetrit, dritën mirëbërëse të Jezu Krishtit. Prandaj në këtë orë dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër Zotin e ju të gjithë”.
Një javë më pas, më 21 e 22 prill, është në Vigjevano të Pavisë, për vizitë baritore nën shenjën e Shën Agostinit, model gjithnjë aktual për popullin e Zotit, Shenjt që i nxit të gjithë të shpresojnë në dashurinë e Jezusit:
“Në shkollën e Shën Agostinit përsëris këtë të vërtetë si Ipeshkëv i Romës, ndërsa, me gëzim gjithnjë të ri, e pranoj me ju, si i krishterë. T’i shërbesh Krishtit është sidomos çështje dashurie!”.
Muaji maj karakterizohet nga shtegtimi IV apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI, i cili shkeli për herë të parë në Amerikën Latine. Papa viziton Brazilin nga 9 deri më 14 maj të vitit 2007, për Konferencën V të përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan e të Karaibeve, mbledhur në qytetin marian të Aparesidës. Vizita e Papës i jep një nxitje të re misionare Kishës së Kontinentit. Një nga çastet më prekëse në Tokën braziliane janë ato që Papa i jeton në Fazenda da Esperança, një bashkësi fëmijësh të droguar, që i rikthehen në jetë, falë shpresës ungjillore:
“Në Fazenda da Esperança – thekson Papa – kufijtë e botës kapërcehen e shikimi lartohet drejt Hyjit. Krishti i ngjallur mjekon plagët e i shpëton bijtë e bijat e Hyjit, e shpëton njerëzimin nga vdekja, nga mëkati e nga skllavëria e pasioneve. Ngjallja e Krishtit bashkon qiell e tokë”.
Më 17 qershor Benedikti XVI është në Asizi me rastin e 800-vjetorit të kthimit të Shën Françeskut në rrugën e Zotit. Vera e 2007-tës është stinë e botimit të dokumenteve papnore me rëndësi të madhe: më 22 qershor Benedikti XVI përcakton, me një ‘Motu Proprio,’ se për të zgjedhur papën, do të jetë gjithnjë e nevojshme një shumicë e përbërë nga 2/3 e votuesve. Më 30 të të njëjtit muaj, një ngjarje me rëndësi historike: botimi i Letrës së Benediktit XVI drejtuar katolikëve kinezë. Duke i folur Kuries Romake më 21 dhjetorin e kaluar, Ati i Shenjtë shpreh besimin se kjo Letër do të hapë një stinë të re në marrëdhëniet ndërmjet Romës e Pekinit:
Letra u prit me gëzim e mirënjohje nga katolikët në Kinë. Uroj që, me ndihmë të Zotit, të prodhojë frytet e shpresuara”.
Korriku 2007 hapet me publikimin Motu Proprio ‘Summorum Pontificum’, mbi përdorimin e liturgjisë romake të parareformës të vitit 1970, që hyri në fuqi më 14 shtatorin e kaluar, në Festën e Naltimit të Shëna Kryqit. ‘Motu Proprio’ e Papës shoqërohet me një letër sqaruese. Rishikimi i së kaluarës, i përçarjeve që copëzuan Korpin e Krishtit - shkruan Papa në këtë Letër - më shtyu t’i bëj të gjitha përpjekjet për t’u krijuar mundësitë ta gjejnë përsëri unitetin, atyre që kanë dëshirë të jenë të bashkuar.
Më 20 korrik publikohet Mesazhi për Ditën XXIII Botërore të Rinisë, Sidnei 2008 me temë: “Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap.1, 8). E tek tema kryesore e ngjarjes së madhe rinore ndalet kryesisht Papa në Mesazh, duke u drejtuar të rinjve ftesën:
“Shkoni kundër rrymës: mos i dëgjoni zërat të cilat, nga të katër anët, propagandojnë modele jete që kanë vulën e arrogancës e të dhunës, të prepotencës e të suksesit me çdo kusht, të përpjekjes për t’u dukur e për të pasur e jo për të qenë. Të jeni gati për të vënë në lojë edhe jetën tuaj, që të ndriçoni botën me të vërtetën e Krishtit”
Nga 7 deri më 9 shtator Papa është në Austri për udhëtimin e tij VII apostolik ndërkombëtar. Një vizitë që arriti kulmin me shtegtimin në shenjtëroren mariane të Mariacelit. “Të udhëhequr e të inkurajuar nga Maria – thotë Papa – duam ta bëjmë sa më të mprehtë vështrimin tonë të krishterë”.
Vulën e shpresës, ndonëse pa i fshehur vështirësitë, kanë fjalët e Papës mbi temat kyçe të ekumenizmit e të marrëdhënieve me myslimanët. Letra drejtuar Asamblesë Ekumenike të Sibiut dhe përgjigja 138 intelektualëve myslimanë, ripohojnë kujdesin e Benediktit XVI për të promovuar dialogun e bazuar mbi Vërtetësinë dhe Dashurinë.
Më 21 tetor, në Napoli, në takimin ndërfetar organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, Ati i Shenjtë thekson se “fetë mund e duhet të ofrojnë burime të çmuara për ndërtimin e njerëzimit paqësor, sepse i flasin për paqe zemrës së njeriut”:
“Përballë një bote të dërmuar nga konfliktet, atje ku nganjëherë përligjet dhuna në emër të Hyjit, është e rëndësishme të ripohohet se fetë nuk duhet të bëhen kurrë përçuese të urrejtjes; nuk mund të arrihet kurrë në përligjjen e së keqes e të dhunës, duke thirrur emrin e Zotit”.
Më 24 nëntor mbahet Koncistori i Benedikti XVI për krijimin e 23 kardinajve të rinj, nga të cilët 18 me të drejtë zgjedhore. Të ardhur nga zona të ndryshme gjeografike të tokës - nënvizon Papa - Kardinajtë shprehin universalitetin e katolicitetin e Kishës. Gjatë vitit 2007, përveç krijimit të kardinajve të rinj, janë të shumta emërimet domethënëse në Vatikan e në dioqeza. Ndërmjet tyre kujtojmë atë të profesor Giovanni Maria Vian në drejtim të ‘L’Osservatore Romano’ dhe të biblistit Gjanfranko Ravazi, në krye të dikasterit për kulturën. Javët e fundit të vitit ndriçohen nga ‘Spe salvi’, dhuratë që Papa ua bëri të gjithë të krishterëve dhe njerëzve vullnetmirë për Krishtlindje. Enciklika e dytë e Benediktit XVI, botuar më 30 nëntor, është edhe ajo një sukses editorial, njëlloj si “Deus caritas est”. Ja si e shpjegon Papa Racinger unicitetin e shpresës së krishterë në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, më 2 dhjetor:
“Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore. Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”.
Shpesë shëlbuese të cilën të gjithë kanë të drejtë ta njohin. Këtu qëndron rëndësia e propozimeve të Notës doktrinore mbi disa aspekte të ungjillëzimit, publikuar më 14 dhjetor nga Kongregata për Dokrinën e Fesë. Dokumenti ka për qëllim t’u kujtojë gjithë të krishterëve – në një situatë në të cilën shpesh deri shumë besimtarë nuk e kanë të qartë domosdoshmërinë e ungjillëzimit – se pranimi i Lajmit të Mirë të fesë, na shtyn vetvetiu ta komunikojmë shëlbimin që e morëm dhuratë.
Zemrës së njeriut që shpreson në paqen, Papa i drejton mesazhin për Ditën e 41-të Botërore të Paqes, botuar më 11 dhjetor. Benedikti XVI kujton vlerën e familjes, si agjensi e vërtetë e paqes dhe fton çdo burrë e çdo grua të fitojë vetëdijen se i përket së njëjtës familje njerëzore e se prandaj, duhet të impenjohet për sigurimin e paqes së vërtetë e të qëndrueshme për të gjithë”. Në mesazhin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’ Papa kujton zonat e botës ku nuk ka paqe, duke u ndaluar posaçërisht në Ballkan.







All the contents on this site are copyrighted ©.