(27.12.2007 RV)Edhe sikur Krishti të lindte dhjetmijë herë në Betlehem, s’
do të të vlente hiç fare, në se nuk lind në zemrën tënde. Por si mund të lindka
Krishti në zemër? E çuditshme kjo mrekulli e re, po jo e pamundur: mjafton ta dëshirosh
e ta presësh. Ditën në të cilën nuk do të ndjesh më hidhërim as smirë, kur ta shikosh
armikun ose mikun të gëzuar, gazmo, sepse lindja e Zotit është e afërt. Ditën kur
të ndjesh nevojën ta gëzosh sadopak atë që është i trishtuar dhe shtytjen ta lehtësosh
dhimbjen ose mjerimin qoftë edhe të një krijese të vetme, galdo, sepse ardhja e Zotit
është pas dere. E në se një ditë do të lëndohesh e do të të bjerë mbi kokë kobi
i zi, do të humbasësh shëndetin e forcën, bijtë e miqtë e do të të duhet të durosh
trashamaninë, ligësinë a ftohtësinë e akullt të të afërmve e të largtëve, por megjithatë
nuk do të qahesh e as do të blasfemosh, e do ta pranosh me shpirt të qetë fatin tënd,
gëzohu e galdo, sepse mrekullia që dukej e pamundur, ka ndodhur: Shëlbuesi tashmë
ka lindur në zemrën tënde. Nuk je më i vetëm, nuk do të jesh kurrë më vetëm. Terrina
e natës do të mbushet me dritë, si të ishin ndezur mijëra yje në qiell për të kremtuar
takimin e ditës sate të shkurtër njerëzore, me amshimin hyjnor.
Giovanni Papini