2007-12-26 16:31:46

Në Solemnitetin e Shën Shtjefnit, Papa nënvizoi se martirizimi i krishterë është gjithnjë shprehje e dashurisë për Hyjin e për njeriun; kujtoi edhe se shumë të krishterë vijojnë të persekutohen.


(26.12.2007 RV)RealAudioMP3 Me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, Shën Shtjefni i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun: këtë nënvizoi Benedikti XVI në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, përqendruar tek figura e martirit të parë të krishterë. Më pas Papa vuri theksin mbi dëshminë që japin akoma sot shumë të krishterë, të cilët vuajnë e vdesin për të kumtuar Ungjillin si dhe për të jetuar në bashkim me Kishën e për t’i qendruar besnikë Papës.
U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij - shpjegoi Benedikti XVI, duke nënvizuar në vijim se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë, Shtjefnin. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – vijoi të reflektonte Papa –që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin:
“Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë: është gjithnjë vetëm akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj ne sot, në Meshën shenjte, i lutemi Zotit të na mësojë t’i duam edhe armiqtë tanë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët e tij”.
Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh – vijoi të kujtonte Papa – e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jeruzalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona:
“Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës”Duke rikujtuar Enciklikën ‘Spe Salvi’ (Me shpresën shpëtuam), Papa vuri në dukje përvojën e martirit vietnamez Pal Le-Bao-Thin që e shndërroi vuajtjen në gëzim, përmes forcës së shpresës, që buron nga feja. E më pas shtoi: Martiri i krishterë, ashtu si Krishti e përmes bashkimit me Të, pranon në thellësinë e shpirtit kryqin, vdekjen duke gjetur forcë për ta shndërruar në vepër dashurie. Kështu – kujtoi Papa - dhuna shndërrohet në dashuri e vdekja, në jetë:
“Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi për ata që vuajnë nga shkaku i besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Zoja e Bekuar, Mbretëreshë e Martirëve, na ndihmoftë të jemi dëshmnitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.