(25.12.2007 RV)Shtegtuam bashkë
‘Udhës së Betlehemit’ ku edhe arritëm mbrëmë, Natën e Krishtlindjes. Por kjo rrugë
nuk mbaron këtu. Krishti nuk erdhi në botë vetëm për të tijtë, por për mbarë botën,
prandaj kumti i lindjes së tij u përhap deri në skajet më të largëta të Planetit,
që e kremton në mënyra nga më të ndryshmet Solemnitetin e Shëlbimit. Ju ftojmë të
shtegtojmë sot nëpër botë, për t’u njohur me traditat e vendeve të ndryshme. Pak
më tutje nga Rovaniemi,në Finlandë, ndodhet katundi ku jeton Plaku i Vitit
të Ri, i cili çdo ditë pret fëmijë për vizitë në shtëpinë e tij të vogël, të mbuluar
deri në çati me dëborë. Kush nuk ka mundësi të shkojë për ta vizituar qytetin finlandez,
nuk duhet të dëshpërohet: Plaku i Vitit të Ri, i ndihmuar nga 30 gnomë( xhuxhimaxhuxhë),
u përgjigjet letrave të fëmijëve nga mbarë bota. Adresa e tij është: “Plaku i Vitit
të Ri, Rrethi polar Artik, 96930, Rovaniemi ( Finlandë)”. Që nga fundi i nëntorit,
në fshatin e Rovaniemit është hapur Santaparku, një park dëfrimi për të vegjël e për
të mëdhenj, që nuk ka shok në botë. Mund të jetosh disa çaste magjike brenda një shpelle,
si në një përrallë të vërtetë. Aty është përuruar edhe një park tjetër, në të cilin
kullosin renat, që përdoren për vrapime mahnitëse me slita. Periudha e Krishtlindjes
në Greqi njihet me ermin “ Kalanda” – fjalë që rrjedh nga latinishtja
‘Kalendae’, ditët e para të janarit. Kalenda quhen si këngët e Krishtlindjes,
ashtu edhe ëmbëlsirat që përgatiten për tërë periudhën e festës, e cila shkon nga
6 dhjetori, dita e Shën Nëkollit, deri më 25 dhjetor, Dita e lindjes së Krishtit.
Natën e së kremtes, fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi për të kënduar himnet e festës,
të shoqëruar nga tingujt e trigonit. Të zotët e shtëpive u japin si shpërblim dhurata
të shumta.
Ngjarja më e rëndësishme e Krishtlindjes në Spanjë e në Portugali
është Mesha e Mesnatës, që portugezët e quajnë “Missa do galo”, spanjollët “ Misa
del gallo” apo “Mesha e gjelit”. Ndër këto vende dhuratat shkëmbehen ditën e Dëftimit
të Zotit, apo të Ujit të Bekuar. Për spanjollët e vegjël, dhuratat i sjellin Mbretërit
Dijetarë (Los Reyes Magos) të hipur në kuaj, gjatë një feste të madhe me vrapime kuajsh,
që njihet si La cabalcada. Në gadishullin iberik ëmbëlsira tipike është një lloj
kulaçi: “rosca de Reis- për portugezët; “roscon de Reyes” për spanjollët. Embëlsira
ka formën e një kurore, është e zbukuruar me sheqer dhe ka brenda shumë të papritura
për fëmijët.
Vjena në periudhën e Krishtlindjes shndërrohet në një
Shpellë të madhe Betlehemi, me mijëra drita që vezullojnë nga tregu i “Kohës së Ardhjes
së Krishtit”, me rrugët e stolisura me degë bredhi, kafenetë e pastiçeritë që ta bëjnë
me sy nga vitrinat e tyre të ngarkuara, me koncertet e festat, prej nga përhapen sidomos
meloditë e valcerit. Në qendër të qytetit ngrihet një Shpellë Betlehemi që, me shtatore
të vockla, tregon ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në Sallonet e Bashkisë, artizanët
ndihmojnë të vegjlit për të krijuar dhurata e ëmbëlsira. Sipas traditës, në sofrën
e festës shtrohet pata e mbushur, e shoqëruar me salca boronicash, torta me kungull,
një lloj ëmbëlsire të mbushur me kungull dhe me fruta të thata. Në
qendrën historike mesjetare të Insbrukut, në Austri, mbi sfondin e bjeshkëve
të mbuluara me dëborë, hapet gjatë gjithë muajit dhjetor një treg karakteristik malor.
Ta vizitojmë. Së pari shikojmë një bredh vigan Krishtlindjeje, që vezullon nga dritat
pranë Shpellës së Betlehemi me figura të skalitura në dru, me madhësi natyrore. Në
tezgat mund të blejmë zbukurime tiroleze për bredhin, ëmbëlsira tradicionale të freskëta,
bajame të sheqerosura, verëra të ëmbla, gështenja të pjekura, që krijojnë një atmosferë
mahnitëse plot aroma e ngjyra. Një ngjarje e posaçme është arritja më 5 e 6 dhjetor
e Shën Nëkollit, që u sjell fëmijëve të mirë ëmbëlsira, ndërsa sherretëve, copa qymyri.
Gjithnjë
të ndriçuara me vargje dritash festive, që zbukurojnë fasadat, magazinat e famshme
“Harrolds” të Londrës, për Krishtlindje janë qëndra kryesore e blerjeve. Një
labirint sallash, në të cilat rrezikon të humbasësh, është përplot me gjithçka nevojitet
për festë: që prej zymbyleve të mbushura me gjëra nga më delikatet, tek lodrat; nga
ushqimet, tek veshmbadhjet. Në Trafalgar Square (skuër) ngrihet bredhi më i bukur
i kryeqytetit. Bredhi madhështor i dhurohet çdo vit londinezëve nga norvegjezët, si
shenjë falënderimi për ndihmën që kanë pasur nga anglezët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjëja karakteristike që shtrohet në sofrën e festës janë “mince pies”, një lloj byreku,
që gatuhen qysh nga njëmijë e pesëqindëshi, me pastafrolë të mbushur me rrush të thatë
e fruta të tjera të thata; dikur mbusheshin me mish. Kartolinat e urimit, qe
fluturojnë nga të katër anët – në të katër anët e botës, përplot me urime për Krishtlindje
e Vit të Ri, janë shpikur rreth gjysmës së tetëqindës nga një djalosh britanik i cili,
duke mos dashur të shkruajë letrat tradicionale të urimeve, porositi një artist t’i
përgatiste bileta në seri. Këto bileta, me frymëzim viktorian, stolisin edhe sot paketat
e Krishtlindjes në Angli.