2007-12-25 17:08:16

Krishtlindja në Tokën Shenjte


(25.12.2007 RV)RealAudioMP3 Krishtlindja në Betlehem filloi me takimin tradicional që bashkon çdo vit këtu mbarë popullsinë vendase, të krishterë e myslimane, me hyrjen zyrtare të Patrikut të Jeruzalemit të Latinëve, Mishel Sabah. Pasi u largua nga Jeruzalemi, ku priti urimet e besimtarëve të tij, i ndjekur nga një vargan i gjatë festiv makinash, Patriku kaloi murin e ndarjes që mbyll qytetin palestinez, duke kapërcyer tri porta. Kujtojmë se në raste solemne gëzon të drejtën ta bëjë këtë kalim të jashtëzakonshëm, që e çon në Betlehem, duke përshkuar enklavën e Varrit të Rakeles. Më pas, i shoqëruar nga banda e skautëve, Patriku kaloi përmes të turmës festive që e priste në Sheshin e Lindjes së Krishtit. Të pranishëm, shumë shtegtarë nga mbarë bota. Këto ditë shtegtimet kanë rifilluar e bujtinat janë përplot, si në atë kohë, kur këtu patën arritur Maria e Jozefi… 60 mijë, sipas gazetës izraelite “Jeruzalem Post’. Kanë ardhur edhe të krishterë nga Galileja e Çisjordania, duke shfrytëzuar mundësinë që është krijuar për hyrjen e të gjithë të krishterëve në Betlehem me viza ditore e javore, deri më 20 janar kur, me solemnitetin e ‘Dëftimit të Zotit’ përfundojnë edhe kremtimet ortodokse. Në Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Katerinës, kryesuar, sipas traditës, nga Patriku Sabah, në bashkëkremtim me nuncin apostolik, imzot Antonio Franko, morën pjesë më se dymijë e pesëqind besimtarë e shtegtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.