2007-12-24 17:35:35

Udhës së Betlehemit.


(24.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq që na ndiqni: duke ecur ‘Udhës së Betlehemit, më në fund arritëm në Shpellën ku lindi Krishti, në natën e madhe të Këshndellave. Ndokujt mund t’i duket se treguam përralla, legjenda a gojëdhëna, shumë larg së vërtetës historike. Nuk është legjendë, as gojëdhënë, e aq më pak përrallë kjo Natë e Madhe.
Jezu Krishti është figurë historike, megjithëse historia e tij nis me fjalët: “Në ato ditë… e vijon me ‘Në atë kohë…’.
Benedikti XVI, në veprën ‘Jezusi i Nazaretit’ shkruan: “Veprimtaria e Jezusit… është ngjarje historike, që mund të datohet me gjithë seriozitetin e historisë njerëzore si diçka që ka ndodhur me të vërtetë, me unicitetin e saj, bashkëkohësia e së cilës me të gjitha kohët ndryshon (fq 31) nga papërcaktueshmëria e kohës së mitit”
Jezusi lindi, jetoi e vdiq (për besimtarët edhe u ngjall) në Palestinën e lashtë. Emri i tij vjen nga greqishtja ‘Jesus’, që e ka prejardhjen nga hebraishtja Iesua, formë e shkurtër e Jehoshua (Hyji është shpëtimi). Foshnja që lindi Maria u quajt me këtë emër, sepse do ta shpëtonte popullin e vet nga mëkatet. Ndërsa emri Krisht rrjedh nga greqishtja ‘Christos’, përkthim i fjalës hebraike mashiah, mesia, që do të thotë ‘i lyer me vaj ose i shuguruar’.
Jezusi lindi në Betlehem të Judesë në vitin 6 para Krishtit (748 vjet pas themelimit të Romës), jetoi rreth 30 vjet në Nazaret të Galilesë e pastaj, vitet e fundit të jetës ia kushtoi kumtimit të Lajmit të Mirë.
Mesia, pra, lindi më se 2000 vjet më parë.
Data e lindjes u përcaktua gabim nga Dionisi i Vogël. Murgu, i cili jetoi në shekullin VI, duke llogaritur vitet e epokës së krishterë, caktoi (duke gabuar) si datë të lindjes së Krishtit, vitin 754 pas themelimit të Romës, në vend të vitit 748.
Dihet me siguri se Herodi i madh, ai që njihet për masakrimin e fëmijëve të pafajshëm, vdiq në vitin 4 para Krishtit, kur Jezusi duhet të ishte së paku dy vjeç. E me që, sipas historianëve Krishti vdiq më 7 prill të vitit 30, është e arsyeshme të besojmë se kur u kryqëzua, ishte 36 vjeç e jo 33.
Për jetën dhe veprën e Jezusit flasin kryesisht Ungjijtë: i Markut, i Mateut, i Lukës e i Gjonit. Në se duam të dimë më shumë, duhet të shfletojmë Veprat e Apostujve, Letrat, posaçërisht të Shën Palit, Ungjijtë apokrifë dhe Etërit e Kishës që jetuan në shekullin II e III.
Për Jezusin flasin edhe paganët. Dëshmia më e rëndësishme gjindet në veprën ‘Lashtësi judaike’, shkruar rreth vitit 94 pas Krishtit nga historiani hebre, Jozef Flavio. Në veprën e tij lexojmë: “Jetoi në këtë kohë Jezusi, njeri i ditur, në se mund ta quajmë njeri: në të vërtetë ai kryente vepra të jashtzakonshme e, duke i mësuar njerëzit ta pranojnë me gëzim të vërtetën, arriti të bindë shumë judenj e grekë. Ai ishte Krishti. E pasi Pilati, i shtyrë nga akuzat e kryepriftërinjve të popullit tonë, e dënoi me kryqëzim, ata që e deshën që në fillim, vijuan ta ndjekin. E, në të tretën ditë, ai iu duk atyre përsëri i gjallë, ashtu siç kishin thënë për të profetët, e bëri edhe shumë mrekulli të tjera. E akoma sot nuk është zhdukur bashkësia e krishterë, që e merr emrin prej tij…”.
Burimet romake mbi Jezusin janë tri: Taciti (‘Anales’, 115-120 para K.): Svetoni (‘Jeta e Klaudit’, brenda jetëve të Qesarëve, 121 para K.); Plini i Ri (‘Letër Trajanit’, 112 para K.).
Publio Kornelio Taciti, duke kujtuar djegien e Romës në vitin 64, për të cilën Neroni akuzoi të krishterët e pafaj, përmend qartë emrin e Krishtit, themelues i sektit të të krishterëve, që e kishin marrë emrin prej tij, dënuar nga prokurori Ponci Pilat nën perandorin Tiberi.
Vijon të shpjegojë Taciti: “Atëherë, për t’ia prerë hovin thashethemnajës, Neroni deklaroi si fajtorë të djegies së Romës e dënoi me torturat më të rafinuara të kohës, ata që populli i vogël i quan të krishterë, të urryer nga të gjithë për mbrapshtitë e tyre… I shpartalluar për një farë kohe, ky paragjykim i kobshëm, rifilloi të ndjehet me forcë jo vetëm në Jude, vend ku nisi së pari kjo e keqe, por edhe në urbe (Romë), ku mizoritë e turpet e të krishterëve vërshojnë nga të katër anët e madje gjejnë edhe ndjekës”. Duhet sqaruar, këtu, se në atë kohë të krishterët nuk njiheshin e pagantë i mbulonin me shpifje, sepse feja e re i binte ndesh paganizmit.
Edhe Svetoni, në biografinë e perandorit Klaud, jep njoftime lidhur me dëbimin e judenjve nga Roma, sepse ngrinin vazhdimisht krye, të nxitur nga një farë Kresti… Prandaj ai (Klaudi) i përzuri nga Roma. Në jetën e Neronit, i njëjti autor i kujton të krishterët si ‘racë njerëzish me paragjykime të reja e të rrezikshme’.
Plini i Ri, qeveritar i Bitinisë, njofton perandorin Trajan se një numër i madh njerëzish mblidhen në një ditë të caktuar, para se të agojë, për t’i kënduar himne Krishtit, si i këndohet një Hyji e për t’u betuar se nuk do të vjedhin, as do të grabisin e as do të kurvërojnë, se do ta mbajnë fjalën e dhënë e nuk do ta mohojnë, edhe në se do të detyrohen të dalin para gjyqit.
Edhe Talmudi, një nga tekstet e shenjta të hebrenjve, bën aluzione të rënda kundër Jezusit, i cili shikohet si mashtrues i Izraelit. Në këtë libër shënohet se procesi që e dënoi Krishtin me vdekje kishte vlerë të plotë juridike.
Ndërsa Benedikti XVI në librin e tij ‘Jezusi i Nazaretit’1.. shkruan: “U përpoqa ta paraqes Jezusin e ungjijve, si ‘Jezusin historik’ në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Jam i bindur, e shpresoj që edhe lexuesi do të bindet, se kjo figurë është shumë logjike e, në këndvështrimin historik, edhe më bindëse se studimet me të cilat jemi ndeshur vitet e fundit. Mendoj se pikërisht ky Jezus - Jezusi i ungjijve – duhet të jetë historikisht, figura më e arsyeshme e më bindëse. (Benedikti XVI ‘Jezusi i Nazaretit’)
E ata që nuk janë ende të bindur se kjo Natë e Madhe, e cila ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit, nuk është është legjendë, as gojëdhënë, e aq më pak përrallë, por fakt historik, i ftojmë të shfletojnë pikërisht librin e Papës Ratzinger
____1 Joseph Ratzinger Benedetto XVI, ‘Gesù di Nazaret’, Rizzoli, aprile 2007








All the contents on this site are copyrighted ©.