2007-12-24 17:32:54

Sot u përurua Shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit.


(24.12.2007 RV)Sipas traditës, sot pasdite, në praninë e autoriteteve të Selisë së Shenjtë u përurua Shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Më pas nisën lutjet mbrëmësore, në përfundim të të cilave Benedikti XVI ndezi dritën e paqes në dritaren e studios së tij private.
Kremtimet e mëdha festive, kryesuar nga Benedikti XVI, do të fillojnë sonte në mesnatë, kur Papa do të kryesojë Meshën Solemne në Bazilikën e Vatikanit; më pas, Dita e Krishtlindjes, me bekimin ‘Urbi et Orbi’, që Papa do ta japë në mesditë nga lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit.
Skena e sivjetme e Shpellës së Betlehemit në Vatikan, që ka 10 personazhe me madhësi natyrore të skalitura në Val di Fieme, katër engjëj të ardhur nga Meksika dhe shtatoret e Shën Vinçenc Palotit - sivjet e frymëzuar nga Ungjilli sipas Mateut - na çon në shtëpinë e Jozefit, në Nazaret ku, sipas rrëfimit ungjillor: “Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit: e mori Marinë në shtëpi të vet. E pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus”. Që në vështrimin e parë na kujtohen mjediset palestineze me arkitekturën e tyre tipike; në të djathtën është vendosur punishtja e zdrukthëtarit Jozef, me veglat e mjeshtrisë; në të majtën, një bujtinë. Është simbol i jetës së përditshme, i vënies ballë për ballë të jetës materiale me atë shpirtërore, por të kujton edhe ikjen e Marisë e të Jozefit në Egjipt. Një burim uji, pastaj, simbol i pastërtisë e i gurrës së jetës, ndërsa zjarri i ndezur në furrën e bujtinës, është simbol i dritës që fiton mbi errësirën, por edhe i dritës e i forcës që vijnë nga Zoti. Tri nga dhjetë shtatoret që pasurojnë skenën e Lindjes së Krishtit, realizuar nga Shoqëria e miqëve të Shpellës së Betlehemit” të provincës së Trentos, do t’i dhurohen Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.