Për shumë vjet Krishtlindjen 2007 – nga Radio Vatikani.
(24.12.2007 RV)Duke u përgatitur ta kremtojmë me gëzim lindjen e Shelbuesit
në familjet tona e në bashkësitë tona kishtare, ndërsa e ashtuquajtura kulturë moderne
dhe konsumistike përpiqet t’i zhdukë simbolet e krishtera nga kremtimi i Krishtlindjes,
të impenjohemi të gjithë për t’i mbrojtur traditat e Festës, pjesë përbërëse të trashëgimisë
së fesë sonë dhe të kulturës sonë, për t’ua transmetuar breznive të ardhshme. Në mënyrë
të veçantë, në sa shikojmë udhët e sheshet e qyteteve tona të stolisura me drita vezulluese,
të mos harrojmë se këto drita janë simbol i një drite tjetër, që nuk shihet me sy,
por me zemër. Në sa admirojmë vezullimet, në sa ndezim qirinjtë në Kisha a ndriçojmë
Shpellat e Betlehemit ndër shtëpi, le ta hapim zemrën tonë e të hyjë aty drita shpirtërore,
që ndez vetë Zoti në zemrat e të gjithë njerëzve vullnetmirë. Hyji me ne, lindur në
Betlehem nga Virgjëra Mari, është Ylli i jetës sonë! Ekipi i programit shqip të
Radio Vatikanit bashkon zërin me korin vigan të urimeve në gjuhën shqipe, që tashmë
jehon në mbarë botën, ku jetojnë e punojnë shqiptarët:Urime! Gëzuar! Për shumë vjet
Solemnitetin e Lindjes së Krishtit 2007!