2007-12-22 17:35:57

Udhës së Betlehemit


(22.12.2003 RV)Në emisionin e sotëm të rubrikës ‘Udhës së Betlehemit’, po flasim për historikun e Bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, shoqëruar me një reflektim të Papës Gjon Pali II.

 
Tradita e vendosjes së Bredhit të Krishtlindjes, në të djathtë të Shpellës së Betlehemit vigan në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nisi me Papën Pali VI, vijoi me Gjon Palin II e vijon edhe me Benediktin XVI. Në Krishtlindjen 1982 Bredhi erdhi në Sheshin e Shën Pjetrit nga krahina italiane Koli Albani. Më 1983 pema madhështore ishte dhuratë e zonës federale të Insbrukut (Tirol-Austri). Bredhi madhështor i Jubileut të madh të Vitit 2000 ishte përsëri austriak: vinte nga Karincia.
Duke nisur nga viti 1982, bredhi ka ardhur 26 herë nga vise të ndryshme malore të Italisë, 24 herë nga Austria e 21, nga Kroacia, por edhe nga Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Sllovenia e Republika Sllovake.
Sivjet Bredhi, i lartë 26 metra, me moshë 140 vjeçare, me peshë tri tonelata, ka ardhur në Sheshin madhështor të Shën Pjetrit nga Val Badia (Itali). I lartuar, si çdo vit, pranë Obeliskut, stolisur për festë me zbukurime vezulluese, realizuar nga vullnetarët e Val Badisë, u përurua më 14 dhjetor me një shfaqje muzikore.
E në sa e sodisim Bredhin madhështor në Sheshin e Shën Pjetrit, nuk mund të mos kujtojmë reflektimin e Gjon Palit II për simbolikën e tij. Shkruan Papa Vojtila:
“Ndërsa pak ditë më parë shikoja nga dritarja e studios sime Sheshin e Shën Pjetrit, ndjeva se po më lartohej shpirti. I kam dashur drurët që kur isha në vendin tim. Kur i shikon, ata në një farë mënyre nisin e flasin. Një poet i konsideron drurët si predikatarë të një mesazhi të thellë: “Ata nuk predikojnë doktrina e receta, por kumtojnë ligjin themelor të jetës.
Në lulëzimin e pranverës, në pjekurinë e verës, në frytet e vjeshtës e në të vdekurit e dimrit, druri rrëfen misterin e jetës. Prandaj njerëzit, që nga kohët e lashta, e kanë marrë simbolin e drurit për të reflektuar mbi çështjen themelore të jetës.
Ashtu si drurët, edhe njerëzit, kanë nevojë për rrënjë që zgjaten thellë. Vetëm kush rrënjoset në tokën pjellore, bëhet i qëndrueshëm. Mund të hedhë shtat drejt lartësive për të thithur dritën e diellit e mundet, njëkohësisht, t’u bëjë ballë stuhive që tërbohen për rreth. Por kush beson se mund të jetojë pa rrënjë, kalon një jetë të turbullt që i ngjet rrënjëve pa tokë.
Shkrimi Shenjt na tregon tokën pjellore, ku mund ta rrënjosim jetën tonë!
Bredhi më shtyn të mendoj edhe për diçka tjetër. Për shtëpitë e banesat tona, në të cilat, sipas një zakoni të mirë, vendoset Bredhi i Krishtlindjes, pranë e pranë Shpellës së Betlehemit. Para kësaj pamjeje, a mund të mos mendojmë për parajsën, për drurin e jetës, por edhe për pemën e njohjes të së mirës e të së keqes ?
Me lindjen e Birit të Hyjit filloi krijimi i ri. I pari, Adami, duke dashur të bëhet si Zoti, hëngri nga pema e dijes. Jezu Krishti, Adami i Ri, ndonëse me natyrë Hyjnore, nuk mendoi ta shfaqte ngjashmërinë e tij me Hyjin, por parapëlqeu ta mohonte vetveten, duke marrë natyrën e skllavit e duke u bërë i ngjashëm me njerëzit, nga lindja - deri në vdekje, nga grazhdi - deri në kryq. Nga druri i parajsës erdhi vdekja, nga druri i kryqit rilindi jeta. Kështu druri i përket Shpellës së Betlehemit, sepse na kujton Kryqin, pemën e jetës”.Bredhi, që i dhurohet çdo vit Papës, stoliset me xhingla të arta e të argjendta, e, sidomos, me drita, që krijojnë në Sheshin e Shën Pjetrit një atmosferë plot gjallëri, duke përhapur kudo mesazhin e Krishtlindjes: mesazhin e dritës, të paqes e të shpresës.







All the contents on this site are copyrighted ©.