2007-12-22 16:56:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të Ardhjes 'A'


  (22.12.'07 RV) RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Atë që profetërit e posaçërisht Izaia, taën paralajmëruar, tani mbërrijnë në plotësim: Emanueli, Zoti me ne lind prej një Virgjëre. Mirëpo që kjo të plotësohet është e nevojshme feja e një familjeje; feja (besimi) e Marisë dhe e Jozefit burrit të saj në fjalën e Hyjit.
Edhe sot Hyji vepron në të njëjtën mënyrë, ai bëhët i pranishëm në mesin e historisë sonë vetëm nëse familjet janë të afta ta pranojnë e ta lindin në shpirt me dëgjimin e fjalës, në bindjen (zbatimin) e fesë. Ta ripërtërijmë këtë impenjim për familjet tona e ta lusim për çdo familje që të di të besojë e ta pranojë Zotin-me-ne që tashmë po e kremtojmë edhe sivjet.
Në leximin e parë , profeti Izaia lajmëron "shenjën" që do të mundësojë njohjen e kohës së caktuar të fillimit të shëlbimit përfundimtar.
Në leximin e dytë , shën Pali në letrën drejtuar Romakëve, ka njohur shenjën e lajmëruar nga Izaia dhe e bën objekt, përmbajtje të "lajmit të mirë" për mbarë njerëzimin.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, me shumë detaje Mateu ungjilltar na bën të njohim kohën, vendin, rrethanat e personat që e shohin plotësimin e premtimeve që Profetërit i kanë bërë Etërve.  
Në këtë të diele që paraprin nga afër kremtimin liturgjik të Kirshtlindjes, leximet biblike synojnë të na ndriçojnë mendjen e zemrën mbi natyrën e vërtetë si dhe mbi misionin e atij Jezusi, ditëlindjen e të cilit duam ta përkujtojmë e kremtojmë.
Këtyre dy çështjeve (problemeve), se kush është më të vërtetë Jezusi dhe cili është misioni i jetës së tij, përgjigjet drejtpërdrejti e me qartësinë më të madhe leximi i dytë i kësaj së diele, marrë nga letra e shën Palit drejtuar Romakëve, fillimi i kësaj letre. Në të Pali na paraqitet si shërbëtor e apostull i Jezu Krishtit, i zgjedhur për t'ia kumtuar Ungjillin e Zotit të gjithë paganëve, ndër të cilët janë edhe Romakët.
Duke e bashkuar e shkrirë me vetëparaqitjen e tij, Pali jep edhe një përshkrim të thjesht e të qartë të atij Ungjilli që duhet ta predikojë: ai Ungjill ka të bëj me të Birin e Zotit, të paralajmëruar nga profetërit në Shkrimet e shenjta, që  rrjedhë prej shtëpisë së Davidit për sa i përket ekzistencës tokësore, i kualifikuar si Bir i Hyjit e i pajisur me forcën e Shpirtit duke u nisur nga ngjallja . Misioni që Hyji i ka besuar këtij Djali të vet është që të gjithë popujt të mund ta fitojnë (kenë) fenë që shpëton, pasi që të gjithë janë të dashur prej Zotit e shenjtër në saje të thirrjes.
I tërë teksti i letrës drejtuar Romakëve, ka për detyrë të sqaroi e zhvilloi si temën e identitetit hyjnor të Jezu Krishtit, poashty edhe planin e Zotit i cili e do shpëtimin e të gjithëve. Pra, fjalitë e shkurtëra e përmbledhëse të tekstit që na ofron leximi i dytë i kësaj së diele, përmbajnë e ruajnë fuqinë e tyre të posaçme. Ato na kanë transmetuar ndoshta njërën prej formulimeve më të vjetëra të fesë së krishtërë mbi realitetin e dyfisht që është tiparë i posaçëm e i vetëm i Jezu Krishtit: realitetin e tij si njeri tokësor e atë si Bir të Zotit.
Edhe pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga Mateu, na flet për natyrën e Jezus Krishtit, duke na treguar si ka ndodhur lindja e tij. Pasi na jep gjenealogjinë e Jezu Krishtit birit të Davidit, birit të Abrahamit, sipas Shkrimeve të Shenjta, çka do të thotë se pasi ka përshkruar zanafillën e Jezusi sa i përketë natyrës të qenurit të tij "mish", dmth bir i njeriut, Mateu ungjilltar duhet të thotë diçka rreth realitetit të tij si Bir i Zotit. E pasiqë vetëm Hyji e di e mund të dëftoj atë çka ka të bëj me Hyjin, vetëm një dëftim hyjnor mund t'ia bënte të njohur njeriut natyrën hyjnore të Jezu Krishtit. Kjo, pikërisht i ndodhi Jozefit, fatit të Marisë, kur para se të dy të shkonin për të jetuar së bashku, Maria gjendej shtatëzënë. Në ëndërr, një engjëll iu duk Jozefit për t'ia dëftuar këte: "ai që është ngjizur në të (Marinë) vjen prej Shpritit Shenjt. Ajo do të lindë një djal e ti do t'ia ngjitësh emrin Jezus: ai në të vërtetë do ta shpëtojë popullin e vet prej mëkateve të tija". Synimi kryesor i këtij tregimi është paraqitja e natyrës hyjnore   e Jezusit Shpëtimtar si një dëftim, duke pohuar zanafillën prej Shpirtit Shenjt. Po në këtë dëftim përfshihet edhe përcaktimi i misionit që Jezusi do ta zhvillojë mbi këtë tokë: shpëtimin e popullit të tij prej mëkateve të veta. Në këtë tekst ungjilltar arrihet deri te mirënjohja e natyrës hyjnore të Jezusit, përmes përshkrimit të lindjes së tij prej një virgjëre, si shenjë dëftuese e natyrës hyjnore të Jezusit, të qenurit të tij për ne Emanuel, do të thotë Zoti-me-ne.
Në Letrën javore që na dërgon këtë diele përmes leximeve biblike, Zoti na pyet se çka më të vërtetë presim nga Ai, pra, çka presim apo më mirë të themi kënd presim në festën e Krishtlindjes ? Shëndet, pare, sukses? A kemi vërtetë nevojë për Zotin apo mos ndoshta mbështetemi kryekëput në fuqitë tona njerëzore. Zoti vjen me Ungjillin e tij që tejkalon çdo shpresë njerëzore e kohore. Do të lindë një Foshnje: do të jetë Emanueli – Zoti-me-ne. Zoti i tejkalon pritjet tona, vjen për të na bërë pjesëmarrës të jetës Hyjnore: Ai është Atë ( Babai) që na do dhe e do të mirën tonë.
Në këtë diele që paraprijnë Krishtlindjen, në leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore kanë për protagonistë të misterit të mishërimit të Zotit, Marinë dhe Jozefin, të cilët janë shembujë për ne se si duhet të përgatitemi dhe si ta presim Zotin që po vjen. Janë shembujë që dëshmojnë se jeta e atij njeriu që e pranon Zotin, ndryshon rrënjësisht në brendësi, edhe pse nga jashtë duhet sikur rrjedhë në mënyrë të zakonshme e në shikim e parë duket pa ndryshime.
Maria e Jozefi na mësojnë se vazhdimisht se si duhet të kalojmë nga arsyeja te feja, nga logjika njerëzore tek logjika e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.