2007-12-22 17:30:09

Krishtlindja në reflektimin e kardinalit Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për kultin hyjnor dhe disiplinën e sakramenteve.


(23.12.2007 RV)RealAudioMP3 Në prag të Krishtlindjes, i kërkuam kardinalit Arinze, prefekt i Kongregatës për kultin hyjnor dhe disiplinën e sakramenteve, një reflektim për dëgjuesit tanë, që të përgatiten sa më krishterisht për ta pritur Solemnitetin e madh.

Pyetje: - Hirësi, nesër është Nata e Lindjes së Zotit: si ta përgatisim zemrën për një festë kaq të madhe?

Përgjigje: - Feja jonë na ndihmon të shohim se ai që po vjen është Biri i Hyjit. Hyj prej Hyji, dritë prej drite, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë; është Hyj që, kur përmbushën kohët, merr natyrën njerëzore për shëlbimin tonë e lind në Betlehem nga Virgjëra Mari. Gjithë kjo do të thotë Lindje e Shëlbuesit. Për Krishtlindje fillon misteri i shëlbimit e prandaj duhet t’i përgatisim zemrat për arritjen e Shëlbuesit, që do të vijë rishtas në mbarimin e botës, por që tashmë ka ardhur në Betlehem: këtë kremtojmë për Krishtlindje, Birin e Hyjit që lind si njeri.

Pyetje: - Thua ka edhe sot rrezik që të krishterët të sillen si banorët e Betlehemit, ku s’u gjet asnjë shtëpi për t’ia hapur portat Hyjit që vjen?

Përgjigje: - Ky rrezik është i mundshëm. Ka shumë njerëz që, kur flitet për Krishtlindjen, mendojnë të shkojnë në det, në se nuk është ftohtë; në mal, në se bie dëborë, ose të vizitojnë ndonjë muze, të hanë ca dreka të mira, që zgjatin nga tri orë, gjatë të cilave shijohen së paku 12 lloje gjellësh. Por edhe të vizitojnë miqtë apo të çlodhen në familje duke shkëmbyer edhe dhuratat e festës. Të gjitha këto sigurisht janë punë të këndshme, por nuk kanë të bëjnë me zemrën misterit. Kryesore është t’i bëjmë vend Jezusit. Si mund të ketë Krishtlindje pa Krishtin? Prandaj, në radhë të parë, duhet të takohemi me Jezusin në sakramentin e Eukaristisë, pasi të jemi përgatitur me një rrëfim të mirë. Kisha e porosit meshtarin ta kremtojë Meshën Shenjte tri herë; në mesnatë, në agim e pastaj edhe gjatë ditës. Ka shumë rëndësi ta marrësh Krishtin në zemër në të Shenjtnueshmin Sakrament, por edhe të lexosh shkrime të përshpirtshme, të bësh pushim shpirtëror. Nuk duhet mbushur kjo ditë me nxitim e me zhurmë. Pa dyshim nuk duhen harruar edhe vizitat në shtëpitë e miqve e të familjarëve: është një përmasë e rëndësishme.

Pyetje: - Si mund ta kumtojmë e ta dëshmojmë sot Krishtlindjen?

Përgjigje: - Jezusi vjen të na shëlbojë. Vjen të na çlirojë nga mëkatet tona e secili nga ne mund e duhet të bëjë rrëmimin e ndërgjegjes së vet lidhur me familjen, me vendin e punës, me lagjen e me gjithë shoqërinë, për të kujtuar në se duhet të pajtohet me ndokënd, sepse koha e Krishtlindjes është koha më e përshtatshme për të falur e për të krijuar atmosferë plot harmoni. Secili nga ne, në sa mendon t’i bëjë dhurata familjarëve e miqve, nuk duhet t’i harrojë të varfërit, të pastrehët, ata që s’kanë ç’të hanë, që s’kanë punë, ose që kremtojnë vetëm, larg vatrave të tyre, sepse janë detyruar të emigrojnë. Kjo është kohë për solidaritet, sepse shpirti i Krishtlindjes është pikërisht dashuria, bamirësia, solidariteti ndërmjet të gjithë njerëzve vullnetmirë. Solidariteti nuk është fjalë boshe, është dashuri në emër të Krishtit. Krishtlindja na fton të gjithëve t’ia dëshmojmë dëshirën për harmoni e dashurinë e krishterë mbarë njerëzve e, prej këndej, të krijojmë atmosferë drejtësie e paqeje.

Pyetje: - Akoma sot, në Mijëvjeçarin e Tretë, shumë të krishterë e jetojnë Krishtlindjen me frikë e pa liri, në gjendje lufte ose mjerimi...

Përgjigje: - Për fat të keq, ashtu është. Ati i Shenjtë Benedikti XVI na dhuroi një Enciklikë, në të cilën na kujton se është shpresa ajo që na shpëtoi, shpresa që ka në qendër Krishtin, sepse është Krishti që na jep përsëri fe e në Të mësojmë të falim, t’i pranojmë të tjerët, të respektojmë të drejtat e të tjerëve. Secili nga ne mund të bëjë diçka. Natyrisht nuk mund të jemi të gjithë presidentë a kryeministra, por sigurisht një farë rëndësie e kemi për familjen tonë, diçka duhet të vlejmë në vendin ku punojmë. E kudo jemi, duhet të krijojmë atmosferën e miqësisë, të pranimit të tjetrit, të drejtësisë e të paqes. Krishti Fëmijë në Betlehem u sjell paqe të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Pyetje: - Një urim për Krishtlindje...

Përgjigje: - Uroj që të gjithë dëgjuesit e të gjithë miqtë, ta kalojnë Krishtlindjen me drejtësinë e gëzimin, që vetëm Zoti di ta japë; uroj kohë të qetë e kremtime me pjesëmarrje të thellë shpirtërore, pa harruar edhe anën njerëzore e shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.