2007-12-21 18:43:47

Njerëzimi ka nevojë për shpresë: kështu u shpreh Atë Kantalamesa në predikimin e tretë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës.


(21.12.2007 RV)Sot paradite Atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, duke cituar Enciklikën e Benediktit XVI ‘Spe salvi’ (Me shpresën shpëtuam), e përqendroi meditimin tek Jezusi, themel i shpresës: shpresë e vërtetë, sepse Krishti është Biri i Hyjit e edhe vetë Hyj. Nderimi për Jezusin si figurë hyjnore - kujtoi predikatari - nuk është fryt i mëpasëm i fesë, i imponuar përmes ligjit të Kostandinit në Nike, në vitin 325, siç pohojnë disa, por shpërtheu papritmas: “Në fillim ishte Fjala” shkruan Shën Gjoni në Ungjillin e tij. Pa lidhjen e ngushtë me Hyjin, figura e Jezusit mbetet e paqartë, irreale, e pashpjegueshme. Shpresa jonë bazohet pikërisht mbi faktin se ne, si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, jemi trashëgimtarë të Hyjit. Ne, krijesa njerëzore – theksoi kapuçini – nuk mund të rrojmë pa shpresë. Kemi nevojë për të, si për oksigjenin. Përndryshe na merret fryma. E megjithatë, shpesh herë shpresa konsiderohet si motra e vogël e virtyteve teologale. Flitet shpesh për fenë, më shpesh akoma për dashurinë, por tepër rrallë për shpresën.
“Nuk mund të mbusheh me shpresë, pa virtytin e Shpirtit Shenjt – saktësoi predikatari i Shtëpisë Papnore. Shpresa është e mrekullueshme: kur rilind në zemër, gjithçka ndriçon, edhe pse asgjë s’ ka ndryshuar. Prandaj Shën Pali na kujton se të krishterët janë ‘spe salvi – të shpëtuar në shpresë e prandaj edhe duhet të jenë ‘spe gaudentes’ - të gëzuar në shpresë. Të lumtur, thjeshtë sepse shpresojnë.Uroj që në këto Krishtlindje – tha në përfundim predikatari - Zoti i shpresës, për virtyt të Shpirtit Shenjt e me ndërmjetësimin e Marisë, ‘Nënës së Shpresës’ të na mbushë plot me gëzim e shpresë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.