2007-12-20 18:16:41

Udhës së Betlehemit.


(20.12.2007 RV) RealAudioMP3 Të dashur miq, në emisionin e kaluar të rubrikës ‘Udhës së Betlehemit’ u përpoqëm t’i japim përgjigje pyetjes: “Cila është zanafilla e Bredhit të Kërshndellave?”. Por menjëherë na lindin dy pyetje të tjera: “Ku u stolis për herë të parë Bredhi i Solemnitetit të Lindjes së Krishtit dhe cila është simbolika e tij?’.

Shumica e studiuesve besojnë se Bredhi i Krishtlindjes, i ndriçuar e i stolisur, e ka zanafillën nga Pema e Parajsës tokësore. Ndërsa si vendlindje përcaktohet bregu i majtë i lumit Ren e, posaçërisht, Alsasa. Dëshmitë më të lashta për këtë, i gjejmë në shënimet e librave të llogarive të qytetit Shletshtad (viti 1521), në të cilat theksohet detyra e mbrojtjes së bredhave në ditët para Krishtlindjes, duke u tërhequr vëmendjen rojtarëve të pyjeve t’i dënojnë rëndë ata që do të presin bredhat, për të stolisur me ta, shtëpitë e dyqanet.
Një dokument tjetër vërteton se në Strasburg, kryeqendër e Alsasës, bredhat e Krishtlindjes, me të cilët zbukuroheshin shtëpitë, shiteshin në treg.
Nga Alsasa tradita e Bredhit të Krishtlindjes u përhap në gjithë Gjermaninë e në mbarë Evropën, madje shumë shpejt arriti edhe në Amerikën e Veriut.
Italia ishte një nga vendet e fundit ku u duk Bredhi i Krishtlindjes. E kjo, edhe për shkak të thashethemnajës, sipas së cilës zakoni për të bërë Bredhin e Krishtlindjes, me që vinte nga Gjermania, ishte zakon protestant, që synonte ta zëvendësonte Shpellën e Betlehemit. Ndërsa Austria katolike nuk ua vuri fare veshin këtyre thashethemeve – të deklaruara krejt pa themel nga teologu protestant Oskar Kullman, në një shkrim për Bredhin e Krishtlindjes. E kështu ndodhi edhe në Trentino e në zonën venete, ndoshta edhe për shkak se bredhat në këto vise gjindeshin me shumicë.
Megjithatë, sipas traditës së krishterë, stolia më e pëlqyer e Krishtlindjes është Shpella e Betlehemit, që ngrihet kudo: ndër Kisha, familje, ambjente shoqërore, rrugë... E shpesh pranë Grazhdit, ku për çdo vit Krishti vjen përsëri në mjediset tona, si simbol i paqes e i begatisë, ngrihet edhe Bredhi i Krishtlindjes.
Duke bërë tonat fjalët e Shën Bonifacit, pohojmë se bredhi, i ndriçuar nga një numër i madh llampash të vogla, mund të shikohet si simbol i shumë vlerave të krishtera.
Nga bredhi njerëzit e lashtë merrnin drurin për të ndërtuar kasollet e tyre, brenda të cilave jetonin në paqe. Sot bredhi mund të jetë simbol i asaj paqeje që rivendosi Jezusi ndërmjet Hyjit e njerëzve; mund të jetë simbol i pavdekësisë, që e solli mes nesh Krishti, që na kujton: “Unë jam Jeta, kush beson në mua, nuk do të vdesë por do të ketë jetë!”. Bredhi i ndriçuar nga llambat është simbol i asaj drite që solli në botë Jezusi me lindjen e tij: “Ai ishte drita që dëbon terrinat e ndrit çdo njeri” (Gjn, 1-14).
Bredhi, me majën e tij që lartohet drejt qiellit, në përkim të plotë me Shpellën e Betlehemit, na tregon praninë e Zotit dhe vendin ku pritet secili nga ne.
Së fundi, na kujton se jeta mbetet gjithnjë blertë, në se dhurohet.Gjithë kjo i jep Bredhit të Krishtlindjes, pranë Shpellës së Betlehemit, domethënien fetare e të krishterë të shëlbimit, që Biri i Zotit e solli në botë me lindjen e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.