2007-12-20 18:01:38

Roli i rëndësishëm i feve në botë, ardhmëria e Evropës dhe situata në Lindjen e Mesme – në qendër të vëmendjes gjatë bisedimeve të Benediktit XVI me presidentin francez Sarkozì.


(20.12.2007 RV)Takimi i parë i Benediktit XVI me presidentin francez Nikolas Sarkozì në Vatikan. Gjatë bisedimeve - njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit – u prekën disa tema me interes të përbashkët, lidhur me situatën në Francë, duke kujtuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës katolike dhe Republikës franceze si dhe rolin e feve, sidomos të fesë katolike në botë. Vëmendje e posaçme – vijon nota – iu kushtua situatës ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë u theksuan ardhmëria e Evropës, konfliktet në Lindjen e Mesme, problemet shoqërore e politike të disa vendeve afrikane dhe drama e pengjeve.
Por, të ndjekim kronikën e kësaj audience të rëndësishme:
“Shenjtëri, Ju e flisni mrekullisht mirë frëngjishten” – ishin fjalët e para që Nikolas Sarkozì i drejtoi Benediktit XVI, i cili e priti përzemërsisht në bibliotekën e Pallatit Apostolik. Presidenti francez arriti në Vatikan në orën 11. 11, pak më vonë sesa ishte parashikuar. Papa e Presidenti shkëmbyen disa fjalë në gjuhën frënge e më pas porta u mbyll për bisedimet në formë private, që zgjatën 25 minuta. Në përfundim të audiencës u shkëmbyen dhuratat tradicionale dhe urimet për Krishtlindje e për Vitin e Ri 2008. Kreu i Elizeut i dhuroi Papës tre vëllime, ndërmjet të cilëve, një kopje të librit të tij në formë interviste, “Republika, fetë, shpresa”, ndërsa mori si shkëmbim, një medalje të papnisë.
Pas takimit me Benediktin XVI, Presidenti francez u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet. Para se të largohej nga Vatikani, presidenti francez zbriti në kriptën e Bazilikës së Shën Pjetrit për t’u lutur tek varri i Gjon Palit II.
Sot pasdite, presidenti Nikolas Sarkozì mori titullin Kanonik nderi i Kapitullit të Lateranit. Është fjala për një privilegj që iu bë që më 1604 mbretit të Francës, Enrikut IV e që vijon t’i bëhet edhe sot presidentëve të shtetit francez. Sipas traditës, në rast se viziton Vatikanin, presidenti i Republikës franceze shkon edhe në Bazilikën e Lateranit për të përshëndetur kardinalin–kryeprift dhe Kapitullin e Bazilikës.
Prandaj sot pasdite, në orën 16.00, Nikolas Sarkozì ishte i pranishëm në Meshën e përvitshme për Francën, që njihet si ‘Missa pro felici statu Nationis Galliae’, kremtuar në Bazilikën Lateranense, kryesuar nga kardinali-vikar, Kamilo Ruini, kryeprift i bazilikës. Gjatë kremtimit, Presidenti francez mbajti një fjalim në të cilin theksoi: “Me praninë time këtu, dua të pohoj se kemi nevojë për kontributin e Kishës katolike, që na ndihmon të zgjedhim rrugët më të përshtashme për ndërtimin e ardhmërisë sonë”.
Pas përfundimit të Meshës në Lateran, në orën 17. 30, Presidenti francez u prit në Kuirinale nga homologu i tij italian, Gjorgjio Napolitano, ndërsa më pas, takimi me kryeministrin italian, Prodi dhe kryeministrin spanjoll, Zapatero. Në qendër të vemendjes, propozimi francez për thellimin e bashkëpunimit mesdhetar, posaçërisht të zonave bregdetare.Pesëdhjetë e dy vjeç, me origjinë hungareze, Nikolas Sarkozì u zgjodh me 6 maj 2007 i 23-ti President i Republikës franceze, i gjashti i Republikës së pestë. Është i pari president i Shtetit francez i lindur pas Luftës II Botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.